Zbulohet se cili gjen dyfishon rrezikun e vdekjes nga COVID-19

Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar një gjen që dyfishon rrezikun e vdekshmërisë nga COVID-19, duke ofruar kështu njohuri të reja se pse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes sesa të tjerët, në të njejtën kohë kjo njohuri hap mundësinë për një qasje të personalizuar ndaj trajtimit.

Rreth 60 për qind e njerëzve me origjinë nga Azia Jugore kanë një gjen të tillë me rrezikshmëri të lartë, thanë në fundjavë shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, duke shtuar se zbulimi shpjegon pjesërisht numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19 në disa komunitete britanike dhe nënkontinentin indian.

RREZIK MË I MADH PËR SHKAK TË NDRYSHIMIT NË ADN

Shkencëtarët zbuluan se rreziku nuk ishte më i madh për shkak të dallimeve në kodimin gjenetik të proteinës, por për shkak të dallimeve në ADN që krijon një lloj “çelësi” që aktivizon gjenin.

Ky sinjal gjenetik ka të ngjarë të prekë qelizat në mushkëri, ndërsa versioni me rrezik të lartë i gjenit të zbuluar, i quajtur LZTFL1, ka të ngjarë të parandalojë qelizat që mbështjellin rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë që t’i përgjigjen siç duhet virusit.

VERSIONI I LARTË I RREZIKUT I GJENIT NUK NDIKON SISTEMIN IMUNITAR 

Por, versioni me rrezik të lartë të gjenit nuk ndikon në sistemin imunitar të trupit, i cili prodhon antitrupa për të luftuar infeksionin, thanë studiuesit.

Ata theksojnë se njerëzit që kanë këtë version të gjenit duhet t’i përgjigjen normalisht vaksinave të disponueshme.

“Studimi sugjeron se mënyra se si mushkëritë reagojnë ndaj infeksionit është kritike. “Kjo është e rëndësishme sepse shumica e trajtimeve që përdoren janë të përqendruara në ndryshimin e mënyrës sesi sistemi imunitar i përgjigjet virusit”, tha bashkëautori i studimit, profesor James Davis.

Rezultatet e hulumtimit janë publikuar në revistën shkencore Nature Genetics.