Sipas rezultateve të një studimi të fundit amerikan, ekspozimi kronik ndaj zhurmës çon në një reagim të fortë të stresit në tru, gjë që mund të shkaktojë procese inflamatore tek enët e gjakut. Ky lloj inflamacioni mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, si sulmi në zemër dhe në tru. Një studim i mëparshëm tashmë ka paralajmëruar se, jetesa në rrugët e zhurmshme ndikon negativisht mbi shëndetin, duke rritur rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.
Kur bëhet fjalë për sëmundjet kardiovaskulare, ekzistojnë disa faktorë rreziku që kontribuojnë në krijimin e vetë sëmundjes. Në faktorë të caktuar (si mosha) nuk mund të ndikojmë, por ushqimi i shëndetshëm, ndërprerja e pirjes së duhanit dhe aktiviteti i rregullt fizik, mund të na ndihmojë të zvogëlojmë rrezikun kardiovaskular.
Kur flasim për ekspozimin ndaj zhurmës, duke pasur parasysh faktin se nuk mund të shpërngulemi në një mjedis më të qetë aq shpejtë, autorët e studimit sugjerojnë që të rishqyrtohen mënyrat për të ulur nivelin e zhurmës në mjedis.