CILI ËSHTË LËNGU IDEAL PËR FËMIJËT GJATË STINËS SË VERËS: Uji, çaji apo qumështi i gjirit?

Një pediatër tregon se cili lëng është më i mirë për foshnjat.

Në verë është veçanërisht e rëndësishme t’u jepni fëmijëve lëngje të mjaftueshme, por gjatë pushimeve verore kontrolloni nëse uji i rubinetit në zonën ku qëndroni është i shëndetshëm.

“Për foshnjat deri në gjashtë muaj, sigurisht që duhet ta zieni dhe ta ftohni ujin para se t’ia jepni fëmijës. Mund të përdorni edhe ujë të posaçëm për bebe ose ujë në shishe nga dyqani, sigurisht pa gaz. Dhe për fëmijët më të rritur, është më mirë të konsumojnë ujë të blerë në dyqan në vend të ujit të pakontrolluar të rubinetit”, thotë Gjovana Armano, doktor shkencash dhe specialiste e pediatrisë. Ajo këshillon që të shmangen lëngjet e frutave, ato janë të ëmbla dhe i bëjnë fëmijët edhe më të etur, ndaj le të jetë ujë i thjeshtë apo çajrat më pak të ëmbëlsuar.

USHQYERJA ME GJI

Ushqyerja me gji në det nuk është vetëm e shëndetshme, por edhe shumë praktike. Nuk duhet të shqetësoheni për përgatitjen e ushqimit dhe fëmija merr mjaftueshëm lëngje. Nëse keni një foshnjë, ushqyerja me gji rekomandohet patjetër dhe në asnjë mënyrë mos planifikoni ta ndërprisni gjatë pushimeve tuaja.

“Jo vetëm që është më i shëndetshëm, ju jeni larg vendbanimit tuaj të zakonshëm dhe mund të mos keni mundësi të përgatisni siç duhet ushqimin apo fëmija nuk do të mund të mësohet menjëherë me ushqimin pure që ia përgatitni”, këshillon Armano dhe shton:

“Kur ushqeni me gji, jeni më të sigurt se foshnja do të marrë gjithçka që i nevojitet, kështu që nëse ai nuk fillon me të vërtetë ushqimin plotësues në muajin e gjashtë, por në muajin e shtatë, kjo nuk është aspak problem”.

USHQIM I LEHTË

Ushqimi gjatë verës duhet të jetë më i lehtë, jo vetëm për fëmijët por edhe për nënat që janë gjidhënëse. Është shumë vapë dhe të gjithë kemi nevojë për më shumë fruta dhe perime të freskëta, shumë lëngje, supa të lehta, etj.

Për shkak të temperaturave më të larta, ushqimi prishet më shpejt, kështu që ushqimi duhet të përgatitet i freskët dhe jo të blini ushqime të shpejta nga dyqanet që ndodhen nëpër skaje të lagjeve, veçanërisht për fëmijët.

Përktheu dhe përshtati:S.N