Fjalët janë të fuqishme. Ato mund të ndikojnë tek fëmijët si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Për më tepër, ato mund të përdoren për të lidhur ose ndarë fëmijët. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme se si prindërit u drejtohen fëmijëve të tyre. Në këtë drejtim, psikologia Xhazmin Mekkoj ndan pesë fraza që nuk duhet t’i përdorim kur flasim me fëmijët.
- “Po më zemëron!”
Kur bëhet fjalë për ndarjen e ndjenjave me fëmijët, është më mirë të marrim përgjegjësi në vend që t’i fajësojmë ata për atë që ndjejmë, pohon psikologia.
“Sigurisht, veprimet e tyre ndikojnë në mendimet dhe ndjenjat tuaja, por nuk është faji i fëmijëve tuaj”. Në vend të kësaj, ju mund të thoni diçka të tillë si: “Po e kaloj një kohë të vështirë tani. E vërej se tani kam filluar të zemërohem. Më duhet kohë të qetësohem”, shpjegon Mekkoj.
- “Ti je një budalla/budallaqe”
Mënyra se si ne flasim me fëmijët bëhet zëri i tyre i brendshëm. Nëse u themi se janë budallenj, ata do të na besojnë. “Zgjidhni fjalët me mençuri sepse fëmijët nuk harrojnë atë që themi nga inati”, këshillon psikologia.
- “Pse nuk mund të jesh si vëllai/motra juaj?”
“Ne mund t’i themi këto gjëra në një përpjekje për të motivuar fëmijët tanë për të marrë vendime të ndryshme, por krahasimet e vëllezërve dhe motrave vetëm inkurajojnë rivalitetin dhe vetëvlerësimin e ulët,” thekson Mekkoj.
- “Ndalo së foluri me mua! Largohu!”
Është e zakonshme të mbyllemi dhe të dëshirojmë që të gjithë të na lënë vetëm kur ndihemi të mbingarkuar nga prindërimi. Megjithatë, ne duhet të marrim përgjegjësinë për të zënë hapësirë në vend që t’ua hedhim atë fëmijëve.
“Ju mund të thoni diçka të tillë, ‘Po ndihem i dërrmuar tani dhe kam nevojë për pak hapësirë’. Unë do të shkoj të marr pak ujë dhe do të kthehem.” Më pas gjeni kohë për të folur pasi të gjithë të jeni qetësuar”, thotë psikologia.
- “Pse je kaq i/e komplikuar? Çfarë ka që nuk shkon me ty?”
Kur sjellja e fëmijëve fillon të na pushtojë, ne duhet të tërhiqemi dhe të fokusohemi në zgjidhjen e problemit. Në vend që t’u bëjmë një pyetje që do t’i zhgënjejë, mund të themi: “Si mund të punojmë së bashku? Çfarë duhet të bëjmë për të zgjidhur këtë problem?”
“Si prindër, fjalët tona janë të fuqishme sepse ato kanë aftësinë të formësojnë mënyrën se si fëmijët tanë e shohin veten dhe botën përreth tyre”, përfundon Mekkoj.