Mos u shqetësoni, kjo është një fazë normale gjatë rritjes. Edhe pse fëmija juaj ishte mjaft i shoqërueshëm deri në këtë moshë, i pëlqente të shkonte në krahët e të tjerëve dhe nuk qante për këtë, në moshën 7, 8 apo 9 muajsh kjo mund të ndryshojë. Rreth kësaj moshe, fëmija bën më mirë dallimin e “të njohurit” nga “i panjohuri”. Duhet pranuar, shumë më herët ai mund të kuptojë se një i huaj po i afrohet, por vetëm tani fëmija bëhet vërtet i vetëdijshëm për këtë fakt. Nuk është për t’u habitur që ai befas tregon distancë ndaj njerëzve të panjohur ose nuk dëshiron të shkojë në krah tek njerëzit e tjerë.
Pse ndodh kjo?
Të jesh i vetëdijshëm se kënd e ke afër është në fakt një mekanizëm natyror mbrojtës që mbron fëmijën nga telashet. Ky mekanizëm bën që fëmija të jetë çdo ditë e më aktiv (disa fëmijë të vegjël tashmë zvarriten, e disa po hedhin hapat e parë) të mos largohet shumë nga mami dhe babi, domethënë të qëndrojë pranë tyre aty ku është më e sigurt. Kuptohet, ky mekanizëm dikur ishte i rëndësishëm, sepse fëmijët më parë gjithmonë kanë qenë të kërcënuar nga rreziqet e natyrës.
Si të reagoni në këtë situatë?
Ashtu si në shumë situata të tjera të pazakonta në të cilat papritmas e gjeni veten me fëmijët, një rregull i ngjashëm zbatohet këtu – pranoni fazën. Një fëmijë ndjen frikë dhe nuk duhet të detyrohet të jetë i guximshëm kur e vetmja gjë që i duhet tani është të jetë me ju. Jini të hapur ndaj të tjerëve, mos e mbroni fëmijën paraprakisht nëse ai nuk shfaq frikë, por gjithashtu mos refuzoni ta mbroni nëse ai ju kërkon. Sa më pak të merreni me atë problem, aq më shpejt do të kalojë kjo fazë.
Përktheu dhe përshtati:S.N