Gjyshërit në Suedi paguhen për kujdesin ndaj nipërve

Sipas ligjit, prindërit mund të transferojnë një pjesë të ditëve të pushimit prindëror te kujdestarët e tjerë.

Suedia prezantoi një ligj revolucionar në fillim të korrikut që lejon gjyshërit të ndihmojnë fëmijët e tyre dhe të marrin kompensim në para për kujdesin për nipërit e tyre deri në tre muaj gjatë vitit të parë të jetës.

Sipas ligjit, prindërit mund të transferojnë një pjesë të kompensimit që marrin si pjesë e lejes prindërore tek gjyshërit e fëmijës. Prindërit e vetëm lejohen të transferojnë deri në 90 ditë leje me pagesë te kujdestarët e tjerë, ndërsa çiftet mund të transferojnë deri në 45 ditë.

Në Suedi, ju keni të drejtë të mos punoni asnjë orë kur bëheni me fëmijë. Përfitimi prindëror paguhet për 480 ditë, ose rreth 16 muaj, për fëmijë. Prej tyre, kompensimi për 390 ditë llogaritet bazuar në të ardhurat e plota të një personi, ndërsa për 90 ditët e mbetura, njerëzit marrin një shumë fikse prej  15.32 euro në ditë.

Ka edhe përfitime të tjera për prindërit në Suedi – ata gjithashtu mund të punojnë me orë të reduktuara derisa fëmija të mbushë tetë vjeç, ndërsa punonjësit e qeverisë mund të punojnë me orë të reduktuara derisa fëmija të mbushë dymbëdhjetë vjet. 50 vjet më parë shteti skandinav u bë i pari në botë që prezantoi “lejen prindërore” me pagesë për baballarët dhe jo vetëm për nënat.