HULUMTIM: Pirja e kafesë gjatë shtatzënisë mund të ndikojë negativisht tek fëmija

Është e vështirë të imagjinohet fillimi i ditës pa një filxhan kafe, por gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes sepse, sipas hulumtimeve të reja, kafeina mund të ndikojë negativisht tek fëmija.

Fëmijët që ishin ekspozuar ndaj sasive të vogla të kafeinës para lindjes janë mesatarisht më të shkurtër se fëmijët, nënat e të cilëve nuk konsumonin kafeinë gjatë shtatzënisë, sipas rezultateve të hulumtimit të fundit, transmeton CNN.

Ekspertët zbuluan se fëmijët e ekspozuar ndaj kafeinës ishin më të shkurtër në moshën katër vjeçare dhe ky ndryshim u zgjerua pas moshës tetë vjeçare. Ndryshimet në gjatësi nuk janë të mëdha, por ekzistojnë, thonë ekspertët.

Gratë shtatzëna rekomandohet të konsumojnë më pak se 200 miligramë kafeinë në ditë. Një filxhan kafe instant ka rreth 100 miligramë, dhe një filxhan kafe e filtruar ka rreth 140 miligramë. Ndërsa një filxhan çaj me kafeinë ka rreth 75 miligramë.

Shqetësimi ekziston, theksojnë ekspertët, sepse nëse rritja më e ulët në fëmijërinë e hershme vazhdon edhe në moshën madhore, ekziston rreziku i sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Por ende nuk mund të përcaktohet, shtojnë ata, nëse ky ndryshim në rritje mes fëmijëve do të vazhdojë deri në moshën madhore.