Konfliktet mes fëmijëve zakonisht shpërthejnë për shkak të lodrave dhe rregullave të ndryshme të lojës dhe ku ka konflikte, ka reagime të dhunshme të të qarave, të bërtiturave, madje edhe të rrahjeve. Duke pasur parasysh që kjo zgjidhet shpejt tek fëmijët e vegjël, sapo një i rritur të përfshihet në zgjidhjen e problemit, çdo mundësi e tillë duhet të përdoret për t’i treguar fëmijës se është më mirë të luajë në shoqëri. Sigurisht, nuk do ta mësoni brenda natës dhe as do ta kuptojë deri në vitin e katërt të jetës së tij, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet t’ia përsërisni se ai mund të luajë me moshatarët e tij vetëm sipas rregullave që do të jenë të kënaqshme për të gjithë. Për të pasur sukses në këtë, përdorni inkurajim pozitiv, jo detyrim.
Asnjëherë mos ia merrni lodrën e preferuar për ia dhënë fëmijës tjetër, asnjëherë para gjithëve mos i thoni se është egoist, se është një shok apo shoqe i/e keq/keqe dhe se askush nuk dëshiron të luajë me të. E gjithë kjo është kundër tij, ndryshe nga lavdërimet që duhet t’i jepni fëmijës sa herë që dëshiron të ndajë diçka me të tjerët.
Derisa të rritet një fëmijë, derisa të jetë të paktën katër vjeç dhe derisa të fillojë të pranojë normat shoqërore që zbatohen midis të rriturve, inkurajoni atë të luajë lojëra. Futbolli është ideal për këtë, sepse topi nuk është vetëm për një lojtar. Këtu përfshihet edhe ndërtimi i shtëpive me tulla, sepse katër duar ndërtojnë më shpejt, luajtja me kukulla dhe të gjitha aktivitetet në natyrë, nga luhatjet, rrëshqitjet, e deri te luajtja me baltë.
Sigurisht, këto lojëra shpesh vënë në provë ndjenjat e fëmijëve, ndaj ndërhyrja juaj do të jetë e nevojshme. Ndoshta fëmija tjetër më shpejt do të qëllojë, ose do të ndërtojë një shtëpi… Por mos u shqetësoni, me kalimin e kohës fëmija do të mësojë gjithçka.
E vetmja gjë e rëndësishme është që të mos toleroni zemërime, hedhjen e lodrave, shtyrjen apo fyerjen e fëmijëve të tjerë.
Në këtë rast, ndaloni lojën, qetësoni fëmijën dhe shpjegoni atij se ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë më i miri në çdo gjë, por më e rëndësishmja është kultivimi i miqësisë. Mos e ndëshkoni dhe mos e tërhiqni nga shoqëria, sepse në këtë mënyrë ai nuk do të jetë në gjendje të mësojë se çfarë është sjellje e pranueshme, por gjithashtu do të krijojë një imazh të keq për veten që do ta ketë të vështirë ta heqë qafe më vonë.