Në moshën tetë, dhjetë dhe 12 vjeçare, fëmija nuk është ende një adoleshent, por edhe nuk është më një fëmijë aq i vogël, gjë që mund të vërehet nga ndryshimet në sjelljen e tij. Ja cilat janë shenjat që tregojnë se “fëmija” juaj nuk është më bebe dhe se puberteti është afër.
- Miqtë janë në vend të parë
Në kopsht, fazën parashkollore dhe në fillim të shkollës fillore komunikimi dhe loja me miqtë është argëtuese për fëmijën, por akoma prindërit janë më të rëndësishm për ta. Marrëdhënia me nënën dhe babanë, mendimi, fjalët dhe veprimet e tyre gjatë kësaj periudhe luajnë një rol kyç në jetën e fëmijës, por me rritjen e tij, miqtë bëhen më të rëndësishëm dhe marrëdhëniet me ta bëhen gjithnjë e më të komplikuara.
Ashtu si adoleshentët, fëmijët në këtë moshë para adoleshencës duan të jenë të pranuar dhe të popullarizuar në shoqëri dhe janë veçanërisht të shqetësuar për atë se çfarë mendojnë të tjerët për ta. Gjithashtu ata po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi dukjes dhe asaj se çfarë po veshin.
- Nuk mund ta zgjosh nga gjumi
Për vite me radhë keni dashur vetëm pak gjumë, keni shpresuar që fëmija të flejë pak më gjatë në mëngjes, të paktën gjatë fundjavave – por në shumicën e rasteve nuk ishte kështu. Tani papritmas nuk mund ta ngrini nga shtrati në mëngjes, mezi e zgjoni për në shkollë, ai fle gjatë fundjavave… Arsyeja kryesore për këtë janë hormonet.
Gjatë pubertetit, melatonina lirohet në tru, e cila ndikon në ciklet gjumë-zgjim, kështu që një fëmijë që normalisht zgjohet herët gjatë kësaj periudhe mund të kthehet në një “zog nate”, i cili shkon vonë në shtrat dhe zgjohet vonë.
- Distancohet
Prindërit jo vetëm që nuk janë më në radhë të parë, por gjithnjë e më shpesh e bezdisin fëmijën duke “i bërë shumë pyetje” dhe “duke mos kuptuar asgjë”. Për shkak të kësaj, fëmija kalon gjithnjë e më shumë kohë vetëm në dhomën e tij, flet më pak se zakonisht dhe rrotullon sytë sa herë që e pyet për diçka ose i jep një mendim për diçka.
Edhe pse e gjithë kjo është e vështirë për prindërit, mbani mend se kjo është një fazë normale e zhvillimit. Fëmija juaj ende ju do dhe ka nevojë për ju, sjellja e tij është vetëm e përkohshme. Gjatë kësaj kohe, përpiquni të jeni të sjellshëm dhe të tregoni mirëkuptim për fazën e tij.
- Është më i turpshëm se zakonisht
Ndrojtja gjatë kësaj periudhe është veçanërisht e theksuar tek vajzat. Rreth moshës 12-vjeçare fillojnë të humbasin vetëbesimin, krahasohen vazhdimisht me vajzat e tjera dhe kërkojnë të meta në pamjen e tyre. Djemtë janë gjithashtu subjekt i ndryshimeve në sjellje, në atë që ata shfaqen pak më ndryshe edhe në një moshë të ndryshme.
- Ankohen gjatë gjithë kohës
Fëmija juaj befas ka një mendim për gjithçka, është gati ta mbrojë atë dhe ajo që e interesonte më parë tani është befas e mërzitshme. Nëse vini re se acaroheni për një kohë sepse fëmija ankohet për gjithçka, pa asnjë arsye, madje nuk arrini ta bëni që të pastrojë më në fund dhomën e tij/saj, dijeni se një sjellje e tillë është gjithashtu normale në këtë fazë. Kështu sillen shumica e djemve dhe vajzave kur bien në pubertet, dhe gjëja më e rëndësishme që duhet ditur është se edhe kjo do të kalojë.