Hulumtimet tregojnë se baballarët marrin shumë më tepër kohë për veten sesa nënat. Një sondazh i kryer nga Zulili ka zbuluar se 68 për qind e nënave kanë vetëm një deri në pesë orë në javë për veten dhe nevojat e tyre, ndërsa rezultatet treguan se baballarët kanë gjashtë ose më shumë orë.
Dr. Lindsi Malloj, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Ontarios dhe bashkëthemelues i organizatës jofitimprurëse “Pandemic Parenting”, thotë se ekzistenca e “fajit të nënës” është shumë reale dhe shumë sfiduese. “Nënat shpesh janë të mbingarkuara mendërisht duke kryer detyra shtesë në punë dhe në shtëpi”, thotë Dr. Malloj, vetë nënë e dy fëmijëve. “Si nënë e dy fëmijëve që punoj me kohë të plotë në kërkime dhe mësimdhënie, sigurisht që mund ta kuptoj këtë.
“Unë shpesh përpiqem të bind veten se kujdesi për veten nuk është egoist dhe është me të vërtetë i rëndësishëm,” shton Dr. Malloj. Ajo gjithashtu inkurajon prindërit që të mos kenë frikë të kërkojnë ndihmë nga bashkëpunëtorët, miqtë, fqinjët dhe partnerët, të cilët me gjasë janë të gatshëm të ndihmojnë. Gjithashtu, Malloj beson se në shumë raste prindërit ose partnerët duhet të ndajnë detyrat dhe përgjegjësitë.
“Duke ndarë barrën, jo vetëm të kryerjes së detyrave, por të menduarit për atë që duhet bërë dhe menaxhuar të gjitha, ne shpresojmë që ju të mund të ndiheni më pak përgjegjës dhe më pak fajtor për kohën që i kushtoni vetes.” Dhe konkludon se “Nënat shpesh mbajnë peshën kryesore të ‘ngarkesës njohëse’ për familjet e tyre.”
Të gjesh kohë për veten është thelbësore dhe kjo kohë ka shumë përfitime shëndetësore. Hulumtimet kanë treguar se marrja e kohës për veten mund të rrisë lumturinë, të reduktojë stresin, të zvogëlojë ose eliminojë ankthin dhe depresionin, madje edhe të reduktojë sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe kancerin.