Një hulumtim i kryer në Universitetin e Bremenit, botuar në revistën “BMC Public Health”, ka analizuar se si disa nga aktivitetet e përditshme ndikojnë mbi shëndetin.
Gjegjësisht, shkencëtarët zbuluan se gratë në moshë shpenzojnë mesatarisht dy orë në ditë më shumë se burrat në realizimin e punëve të shtëpisë.
Hulumtuesit analizuan sesa kohë shpenzojnë personat e rritur, çdo ditë, për të kryer 41 aktivitete të ndryshme, nga gatimi dhe pastrimi, deri në hekurosje, si dhe si ndikojnë këto aktivitete në shëndetin e tyre.
Rezultatet treguan se meshkujt në pension shpenzojnë rreth 3.1 orë në ditë për realizimin e punëve të shtëpisë, ndërsa gratë shpenzojnë gati 4.7 orë në ditë duke punuar nëpër shtëpi.
Gratë shpenzojnë më shumë kohë në gatim, pastrim dhe blerje, ndërkohë që burrat kohën e tyre të “amvisërisë” e shpenzojnë në riparime të vogla në apartament ose kopsht.
Personat e moshuar të cilët kryenin punë shtëpie çdo ditë nga 3 deri në 6 orë kishin shëndet më të mirë se ata që i kryenin punët për vetëm një deri në dy orë, autorët e studimit besojnë se burrat pas daljes në pension duhet të përfshihen më shumë në kryerjen e punëve të shtëpisë nëse duan që të gëzojnë shëndet të mirë për një kohë më të gjatë.