Polifenolet janë komponime kimike dhe metabolite sekondare të bimëve. Si të tilla, ata janë përgjegjës për shërimin dhe parandalimin e sëmundjeve te vetë bimët, por edhe tek njerëzit. Funksioni i tyre kryesisht bazohet në parandalimin e formimit të radikaleve të lira, por gjithashtu kanë edhe mjaft veti tjera shëruese. Bimët prodhojnë disa mijëra polifenole me struktura të ndryshme kimike. Sipas diversitetit dhe kompleksitetit të strukturës kimike, polifenolet mund t’i rradhisim që nga acidet e thjeshta hidroksimetil dhe antocianine (pigmente bimore), e deri te flavonoidet komplekse dhe taninet me një ose më shumë unaza benzen hidroksil.
Rëndësia e polifenoleve
Polifenolet si përbërës të organeve bimore kanë role të shumëfishta. Ata janë përgjegjëse për vetitë shqisore, ngjyrën dhe shijen. Ato në mënyrë indirekte ndikojnë në rritjen e bimëve dhe i mbrojnë qelizat e ndjeshme nga rrezatimi i dëmshëm UV dhe e rrisin rezistencën e bimëve ndaj mikroorganizmave dhe sëmundjeve.
Polifenolet janë grup heterogjen i shpërndarë i metaboliteve të bimëve sekundare dhe një nga grupet më të rëndësishme të antioksidantëve natyror.
Flavonoidet
Flavonoidet zënë një vend të veçantë në grupin e polifenoleve. Në natyrë, flavonoidet gjenden në formë të lirë ose janë të lidhura me molekula të ndryshme të sheqerit të cilat formojnë glukozë. Përveç bimëve, flavonoidet kanë efekt pozitiv edhe mbi shëndetin e njerëzve. Flavonoidet tregojnë efekt antibakterial, antifungal dhe antiviral. Me veprimin antioksidues ata e pastrojnë organizmin nga radikalet e lira. Shumë studime kanë treguar se flavonoidet parandalojnë një numër të madh të inflamacioneve dhe zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Burim i pasur i polifenoleve dhe flavonoideve
Polifenolet janë të pranishme te ushqimet me origjinë bimore. Ato gjenden në fruta, perime, fara, çaj, kafe, verë, mjaltë dhe propolis. Burim i pasur i flavonoideve janë edhe agrumet dhe frutat e pyllit, perimet (qepa, selino, speca, marule, lakra dhe domate), çaji jeshil dhe i zi, vera e kuqe dhe çokollata.