Hulumtimet e reja kanë treguar, se sa kohë e lirë i duhet nënave për të qenë të lumtura. Termi “kohë e lirë” dhe mëmësia, le të jemi të sinqertë, nuk shkojnë bashkë. Kur një grua bëhet nënë, e gjithë jeta e saj ndryshon dhe duket se nuk ka kohë të mjaftueshme për veten. Gjithmonë ka shqetësime për ushqimin, oraret e aktiviteteve, gjumin, punët e shtëpisë dhe jo rrallë herë nevojat dhe dëshirat e nënës janë në fund të listës. Edhe pse shpesh mendojmë se do të ishte më mirë të kishim vetëm kohë të lirë, hulumtimet thonë, se në fakt nuk është kështu.
Sipas hulumtimeve, ekziston një sasi e kohës së lirë që është sasia “perfekte” dhe shkenca e ka vërtetuar këtë. Megjithëse studimi tregoi se njerëzit që kanë më shumë kohë të lirë në përgjithësi kanë nivele më të larta të mirëqenies, konkretisht ekziston një kufi i caktuar. Tregohet se, numri magjik i kohës së lirë është 2 orë.
Edhe pse kjo duket pak si e vështirë për t’u bërë në amësi, me pak kreativitet dhe disiplinë, nuk është e pamundur. Kur fëmijët shkojnë në shtrat ose flenë gjatë ditës, nënat ndoshta mund t’u thotë jo punëve të shtëpisë dhe në vend të kësaj të shfrytëzojnë pak kohë të lirë – për veten e saj. Kjo sigurisht tingëllon më e lehtë se sa është në praktikë, por nënat duhet të vendosin veten dhe nevojat e tyre në radhë të parë herë pas here.
Gjithashtu është inkurajuese të dini, se, shumë kohë e lirë mund të jetë e dëmshme për ju. Nënat që kishin pesë orë kohë të lirë në ditë ndiheshin më keq, ishin më pak produktive, gjë që ka shkaktuar frustracione dhe probleme në familje, ndjenja e përmbushjes për shkak të detyrave të kryera mirë mungonte dhe mundësia për depresion ishte më e madhe.
Rezultatet e nënvizuara të hulumtimit bien ndesh me mendimin e krijuar se ne jemi më të lumtur kur kemi më shumë kohë të lirë. Edhe pse ndonjëherë nuk duam të bëjmë punët e shtëpisë apo të mëmësisë, pikërisht puna e tillë stimulon trurin dhe ndihmon për t’i dhënë kuptim jetës. Nëse nëna kalon shumë kohë në “përtaci” dhe nuk merr pjesë në jetën e përditshme dhe përgjegjësitë, ajo mund të ndihet më e dëshpëruar, për shkak të mungesës së stimulimit, është ky konstatimi i autorëve të hulumtimit.
Përktheu dhe përshtati:S.N