Stomatologët rekomandojnë pastrimin e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë: në mëngjes dhe në mbrëmje, madje edhe më mirë është nëse ato i lani edhe pas çdo vakti.
Larja e rregullt e dhëmbëve për shumicën e njerëzve është çështje shprehie, kështu që pa asnjë problem i pastrojnë dhëmbët dy herë në ditë. Disa rregullisht i pastrojnë dhëmbët pasiqë duan të kenë buzëqeshje të bukur, të tjerët kujdesen për erën e gojës, por ka edhe nga ata që rregullisht i pastrojnë dhëmbët dhe përdorin pe dental me qëllimin e vetëm – që të mos vizitohen tek stomatologu.
Le të kuptohemi: pastrimi i dhëmbëve nuk është i rëndësishëm vetëm për shkak të dhëmbëve të bardhë dhe erës së freskët të gojës. Nëse e shmangni larjen, nxisni formimin e pllakave dentare (shtresa bakteresh tek dhëmbët), gjë që çon në formimin e kariesit dhe sëmundjeve të mishit të dhëmbëve. Me pastrimin e rregullt, ju e “pengoni” punën e tyre, domethënë, i largoni bakteret të cilat nuk do të mund t’i sulmojnë dhëmbët dhe mishin e dhëmbëve.
Pllaka dentare, e cila krijohet si pasojë e larjes jo të rregullt të dhëmbëve, është pikërisht ajo shtresa e verdhë, të cilën mund ta vëreni kur kaloni me gjuhë nëpër dhëmbët tuaj dhe që mund të shkaktojë inflamacione të ndryshme dhe hemoragji të mishit të dhëmbëve. Shmangia e përhershme e larjes së dhëmbëve krijon rrezikun e humbjes së plotë të dhëmbëve.
Duhet të kihet parasysh se larja e papërshtatshme, domethënë larja e shkurtër me lëvizje të përsëritura nuk e largon pllakën, kështu që mund të shkaktojë dëme. Prandaj rutina ditore me një brushë jo shumë të fortë dhe pastë dhëmbësh që përmban fluor, është e pëlqyeshme dhe e domosdoshme për të gjithë.
Përveç kësaj, larja duhet të zgjasë rreth dy minuta, duhet të pastrohen të gjithë dhëmbët, dhe jo vetëm pjesa e përparme që shihet kur buzëqeshim.
Nëse mendoni se çamçakëzat dhe bonbonet prej mentoli do të largojnë pllakën gënjeheni. Vetëm larja e dhëmbëve dy herë në ditë dhe pastrimi i dhëmbëve pe dental një herë në ditë, si dhe vizitat e rregullta dentare do t’i mbajnë dhëmbët e juaj të shëndoshë dhe të bardhë, shkruan “Everyday Health”.