Zakonet e caktuara të jetës mund të ndihmojnë në shtyrjen dhe zbutjen e shfaqjes së shenjave të dukshme të plakjes në lëkurën e fytyrës. Ekspozimi i shpeshtë dhe për një kohë të gjatë ndaj rrezeve të diellit kontribuon në plakjen e shpejt të lëkurës dhe rrudhave.
Studimet kanë treguar se përdorimi i përditshëm i kremrave me faktorë mbrojtës SPF 15 ose më shumë, e zvogëlon rrezikun e hiperpigmentacionit dhe rrudhave të theksuara. Nëse lëkura është e hidratuar mirë edhe rrudhat e fytyrës do të jenë më pak të dukshme. Përveç kujdesit adekuat, është e rëndësishme që të pini të paktën 6 deri në 8 gota ujë në ditë, por edhe më shumë nëse ushtroni ose nëse është nxehtë.
Të ushqyerit e ekuilibruar gjithashtu mund të kontribuojë në një pamje më të mirë të lëkurës. Një hulumtim ka zbuluar se marrja e vitaminës C dhe acidit linoleik (një lloj i acidit yndyror omega-3) e zvogëlon rrezikun e lëkurës së thatë tek gratë e moshës 40 deri 74 vjeçare.
Stresi dhe shqetësimet gjithashtu i forcojnë rrudhat, sidomos ato në ballë. Përpiquni të gjeni atë se çfarë ju ndihmon të relaksoheni. Disa nga sugjerimet më të zakonshme janë stërvitja e rregullt, leximi i ndonjë libri, ushqimi i shëndetshëm dhe gjumi, aroma-terapia, yoga, meditimi, teknikat e frymëmarrjes së thellë…
Nëse jeni duhanpirës, është mirë që të përpiqeni të lini duhanin. Përveç që e rrit rrezikun ndaj kancerit të mushkërive, pirja e duhanit konsiderohet si një nga shkaktarët kryesore të plakjes së shpejtë. Një studim i vjetër i vitit 2008 ka treguar se kimikatet e duhanit e reduktojnë sintezën e kolagjenit dhe ndikojnë negativisht në elasticitetin e lëkurës, gjë që çon në shfaqjen më të shpejt të rrudhave.