Është i njohur fakti se human papilloma virusi (HPV) transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale te njerëzit, si dhe se infeksioni me HPV është një nga sëmundjet më të zakonshme seksualisht të transmetueshme. HPV gjithashtu është e lidhur me zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe me kanceret në zgavrën e gojës dhe fytit.
Por tani, një studim i ri ka treguar që human papilloma virusi mund të përhapet tek minjtë edhe përmes gjakut të kontaminuar. Sipas mendimit të shkencëtarëve, ky studim mund të jetë bazë e hipotezës se HPV-ja gjithashtu mund të transmetohet te njerëzit përmes gjakut.
Mendohet se hulumtimet e mëtejshme janë të nevojshme për të konfirmuar se HPV-ja mund të transmetohet përmes gjakut, sidomos me anë të transfuzionit të gjakut. Gjithashtu mendohet edhe për shtimin e HPV-së në regjistrin e viruseve që testohen gjatë dhurimit të gjakut.
Mbetet e hapur pyetja, nëse infeksioni HPV i shkaktuar nga gjaku të shkaktojë tumore dhe ndryshime kancerogjene në qafën e mitrës.