Meshkujt të cilët bëjnë punë të rënda fizike, kanë shanse më të madha për vdekje të parakohshme

Hulumtimet e reja kanë treguar se puna fizike është mjaft ndryshe, për dallim nga vrapimi dhe stërvitja në palestër gjatë kohës së lirë.

Meshkujt të cilët fitojnë duke punuar punë të rënda fizike kanë më shumë shanse për vdekje të parakohshme, sesa ata të cilët kanë punuar “ulur”, tregoi një hulumtim i ri.

Studim i kryer në Universitetin holandez VU shpjegoi se aktiviteti i madh fizik mund të jetë i rrezikshëm për trupin gjatë kohës që jeni në punë, ndërsa e njëjta u ndihmon kur e bëni në kohën e lirë.

“Arsyeja për këtë nuk është mjaft e qartë, por supozojmë se kjo ndodh sepse njerëzit në punë bëjnë “ushtrime” të ndryshme, për dallim nga ato që i bëjnë në kohën e lirë, thotë Peter Huijing, një nga hulumtuesit, shkruan Guardian.

“Edhe pse e dimë se aktiviteti fizik është i mirë për ne, zbuluam se aktiviteti i tepërt në punë rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme për 18 për qind, në krahasim me burrat të cilët nuk janë aq aktiv në vendin e tyre të punës”, tha Huijing.

Ai vuri në dukje se ka dallim të madh midis vrapimit pas orarit të punës, që zgjat gjysmë ore dhe punës fizike që zgjat tërë ditën.

“Pasi vrapimit ndjeheni mirë dhe pushoni, por në punë jeni tetë orë aktiv, ngrini sende të rënda, i përsëritni lëvizjet e njëjta, i përdorni shumë duart, ndërsa kohë për të pushuar nuk keni aq sa ju nevojitet, prandaj aktivitet e tilla fizike ndikojnë në sistemin kardiovaskular, për dallim nga vrapimi ose stërvitja, të cilat e ndihmojnë atë”, tha Huijing.

Hulumtimi përfshiu 200,000 njerëz nga 17 studime të ndryshme, në bazë të të cilave këto të dhëna janë marrë.