Rrezatimet UVA, UVB dhe UVC – ku qëndron dallimi?!

Jini të kujdesshëm dhe mos rrezikoni, përdorni mbrojtës kur ekspozoheni ndaj diellit!

Dielli lëshon rreze ultravjollcë të cilat janë të padukshme për syrin e njeriut dhe ndahen në tre grupe – rrezet UVA, UVB dhe UVC. Rrezet UVA përbëjnë 98 përqind të rrezatimit ultravjollcë të diellit dhe janë me intensitet më të vogël se UVB, por depërtojnë thellë në lëkurë dhe kontribojnë në shfaqjen e kancerit të lëkurës në fazat e vona të jetës, plakjen e lëkurës dhe errësimin e saj.

Nga njëra anë rrezet UVB janë të nevojshme për prodhimin e vitaminës D, por nga ana tjetër janë përgjegjëse për djegien nga dielli dhe shfaqjen e kataraktit. Rrezet UVB janë më të forta nga muaji prilli deri në tetor, nga ora 10 deri në orën 16, ndërkohë që jemi të ekspozuar ndaj rrezeve UVA, në një masë relativisht të ngjashme gjatë ditës, madje edhe kur është moti i vrenjtur. Kur bëhet fjalë për rrezet UVC ato janë vdekjeprurëse, por, fatmirësisht ato nuk arrijnë deri tek ne falë shtresës së ozonit.

Dilemë – xhamat e veturave a na mbrojnë nga rrezet UV?!

Ndoshta rekomandimi që të aplikoni kremin mbrojtës ndaj diellit, përpara se të ngisni makinën ju është dukur gjithmonë i çuditshëm. Megjithatë, është mirë të dihet se nga hulumtimet e bëra kohëve të fundit në kuadër të një studimi amerikan, u tregua se dritaret e makinave nuk sigurojnë mbrojtjen adekuate ndaj rrezeve UV të diellit. Sipas tyre, problemi nuk është në xhamin e përparëm, aq sa është në xhamat anësor.

Në të vërtetë, ky hulumtim tregoi se xhami i përparëm i veturës mban një mesatare prej 95% deri 98% të rrezatimit  UVA, ndërsa xhamat anësor, në varësi të markës së makinës ndalojnë midis 44% deri 96% të rrezatimit UVA.