Flasterët në një të ardhme të afërt mund të bëhen paisje të vërteta, të cilat do të mund të monitorojnë gjendjen e plagës që e mbrojnë, por edhe të japin barnat dhe në këtë mënyrë bëhen pjesë aktive e procesit të shërimit.
Bëhet fjalë për një shpikje të shkencëtarëve të Universitetit Tufts, i cili ende është vetëm një prototip, i cili ka sensorë për temperaturë dhe pH sensorë, në mënyrë që të mund të monitorojë shenjat e inflamacionit dhe të japë ilaçin e duhur. Profesori Sameer Sonkusale theksoi se shumëkush ka shkuar në drejtim të zhvillimit të këtyre flasterëve, për shkak të zhvillimit të elektronikës fleksibël.
“Elektronika fleksibile mundëson zhvillimin e shumë pajisjeve mjekësore të cilat vishen, mirëpo fashat nuk kanë ndryshuar që nga fillimi i mjekësisë”, theksoi Sonkusale në një deklaratë për shtyp.
Djegiet, diabeti ose sëmundjet tjera mund të shkaktojnë plagë kronike, të cilat mund të çojnë në infeksione dhe madje edhe në amputime. Me këtë lloj flasteri, indi inflamator dhe infeksioni mund të zbulohen më herët. Flasteri vepron në atë mënyrë që, mikroprocesori i lexon të dhënat që vijnë nga senzori dhe, nëqoftse është e nevojshme, mund të lëshoj ilaçin e nevojshëm duke e ngrohur hidroxhelin. Aktualisht, janë duke u zhvilluar hulumtimet para-klinike.
Përndryshe, katër vjet më parë shkencëtarët zhvilluan flasterë, të cilat përmes ngjyrës reagojnë dhe tregojnë se sa oksigjen merr plaga, ndërsa vitin e kaluar një grup shkencëtarësh zhvilluan flasterin i cili mund të japë ilaçin sipas nevojës.