Dita Ndërkombëtare e Familjes, festohet që nga viti 1993 më datë 15 Maj në mbarë botën, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli atë si Ditën Botërore të Familjes, me qëllim që të inkurajojë shtetet anëtare që të njohin nevojën për të forcuar familjen si një institucion.
Qëllimi i shënimit të Ditës Botërore të Familjes është afirmimi i vlerave familjare, promovimi i barazisë midis grave dhe burrave brenda familjes, mbrojtja e familjes si element kryesor i shoqërisë dhe ndihmë familjeve që të përmbushin përgjegjësinë e tyre ndaj komunitetit.
Çdo herë kur familja prishet, në një farë mënyre ndikohet nga shoqëria. Kur familjet e ndara për një kohë gjatë bashkohen përsëri, shoqëria përfiton nga kjo.
Sipas rekomandimeve të OKB-së, familja kërkon vëmendje të veçantë, ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, sidomos në rastet kur është e prekur nga varfëria, pjesëtar me aftësi të kufizuara dhe dhuna. Për zgjidhjen e këtyre problemeve është e nevojshme të përfshihen të gjitha institucionet përkatëse.
Çdo vit, OKB i përcakton temat që do të shënojnë këtë ditë. Tema për vitin 2018 është: “Familjet dhe shoqëritë gjithpërfshirëse”.
Kjo nënkupton se shoqëritë mund të bëhen vërtet gjithpërfshirëse nëse familjet mbeten kohezive dhe funksionale.
Kërkojini ndonjë fëmije që të ju vizatoj familjen e tij dhe do të fitoni vizatimin tradicional në të cilin është babai, nëna, vëllai dhe motra, madje edhe macja apo qeni i familjes.
Edhe pse familjet në mbarë botën gjatë dekadave të fundit janë transformuar sa i përket strukturës së tyre dhe si rezultat i tendencave globale dhe ndryshimeve demografike, Kombet e Bashkuara ende familjen e pranojnë si njësinë bazë të shoqërisë.
Dita Ndërkombëtare e Familjes ofron mundësinë që të promovohet ndërgjegjësimi mbi familjen dhe të rriten njohuritë mbi proceset sociale, ekonomike dhe demografike që i prekin ato. Kjo ditë frymëzon një sërë ngjarjesh të ndërgjegjësimit, përfshirë edhe Ditët Kombëtare të Familjes. Në shumë vende, kjo ditë është një mundësi e mirë për të nxjerrë në pah fusha të ndryshme në interes dhe rëndësi të familjes. Aktivitetet përfshijnë punëtori dhe konferenca, programe radio-televizive, artikuj gazetash dhe programe kulturore me tema përkatëse.