Thumbimet e mushkonjave – si të lehtësoni kruajtjen irrituese?

Thumbimet e mushkonjave zakonisht ndodhin në periudhën nga perëndimi i diellit e deri në lindjen e diellit, kur mushkonjat janë tepër aktive

Nuk ka njeri që nuk ka ndjerë kruajtjen irrituese dhe të bezdishme shkaktuar nga thumbimi i mushkonjave. Mjafton vetëm një insekt i tillë i vogël që t’ju shkatërroj gjumin gjatë verës, si dhe t’ju mundoj kruajtja disa ditë. Thumbimet e mushkonjave zakonisht ndodhin në periudhën nga perëndimi i diellit e deri në lindjen e diellit, kur mushkonjat janë tepër aktive. Për fat të mirë, Maqedonia nuk është një zonë e rrezikshme, pasi që mushkonjat nuk transmetojnë sëmundje serioze si malaria ose ethet e verdha, prandaj shumica e pickimeve nuk janë të rrezikshme.

PSE PARAQITET KRUAJTJA?

Vetëm mushkonjat femra “kafshojnë” njerëzit, pasi që ata ushqehen me gjak. Për dallim nga mushkonjat meshkuj të cilat zakonisht ushqehen me lëngje bimore. Me ndihmën e feçkës së hollë dhe të gjatë, mushkonjat femra depërtojnë në lëkurën e njeriut dhe thithin gjak. Por, derisa thithin, ata në lëkurë lënë pështymën e tyre e cila përmban proteina të cilat kanë për qëllim parandalimin e koagulimit të gjakut. Sistemi imunologjik reagon ndaj këtyre proteinave, dhe si rezultat i kësaj vendi përreth thumbimit skuqet dhe bymehet, mirëpo shfaqet edhe kruajtja.

CILËT NJERËZ I TËRHEQIN MUSHKONJAT?

Shkencëtarët vazhdimisht po kryejnë eksperimente për të përcaktuar se çfarë i tërheq mushkonjat tek disa njerëz, ndërsa tek disa të tjerë nuk i tërheq. Është e njohur se mushkonjat zgjedhin “viktimat” e tyre bazuar në shumë faktorë, si era dhe kimikatet e djersës. Studimet e deritanishme tregojnë se mushkonjat më shumë i tërheqin meshkujt sesa femrat, por edhe gratë shtatzëna, njerëzit me grupën e gjakut 0, njerëzit me kolesterol të lartë dhe obezë, njerëz që konsumojnë birra, si dhe njerëzit që mbajnë rroba të errëta.

SI TË ZVOGËLONI KRUAJTJEN PAS THUMBIMIT?

Kruajtja e cila paraqitet si rezultat i pickimit të mushkonjave nuk mund të zhduket menjëherë, prandaj duhet të keni durim. Gjëja më e rëndësishme është që të mos e gërryni vendin e skuqur në mënyrë që të mos e irritoni lëkurën dhe të mos shtohet koha e shërimit. Nëse keni vën re se jeni kafshuar nga një mushkonjë, menjëherë lani vendin me ujë dhe sapun ose pastrojeni me alkool. Pastaj mund të përdorni disa nga ilaçet shtëpiake, të cilat e zvogëlojnë kruajtjen:

  • Pastë prej sodës së bukës
  • Lëng limoni
  • Uthull molle
  • Aloe Vera
  • Pastë dhëmbësh
  • Ujë për shpëlarjen e gojës
  • Kripë
  • Lëvozhgë bananje
  • Akull