Ulja e temperaturave rrit rrezikun ndaj sulmit në zemër

Rezultatet treguan qartë se rënia e temperaturës mesatare ditore për një gradë Celsius, ka të bëj me rritjen kumulative për dy për qind të rrezikut ndaj sulmit në zemër në një muaj.

Ulja e temperaturave të jashtme shoqërohet me rrezikun e sulmit në zemër, tregojnë rezultatet e studimit të fundit nga Shkolla e Higjenës dhe Shëndetit në Londër.

Shkencëtarët kanë zbuluar se çdo rënie e temperaturës për një gradë Celsius në ditë, është e lidhur me rreth 200 sulme zemre.

Studiuesit për nevojat e hulumtimit, studiuan 84 010 të dhëna mjekësore të pacientëve të pranuar në spital për shkak të sulmit në zemër midis vitit 2003 dhe 2006. Të dhënat e përmendura i krahasuan me temperaturat e ditës në Angli dhe Uells. Rezultatet treguan qartë se rënia e temperaturës mesatare ditore për një gradë Celsius, ka të bëj me rritjen kumulative për dy për qind të rrezikut ndaj sulmit në zemër në një muaj.

Rreziku më i madh ishte i pranishëm në dy javët e para të ekspozimit. Megjithëse rreziku i rritur mund të duket i ulët, vetëm në Britaninë e Madhe çdo vit ndodhin 146 000 sulme zemre, ky rrezik i vogël shton edhe 200 raste shtesë në numrin total.

Nën efektin e uljes së temperaturave më të ndjeshëm janë personat e moshuar të moshës 75-84 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje koronare të mëparshme të zemrës.

“Rezultatet tona kanë treguar se edhe gjatë muajve të verës, rreziku ndaj sulmit në zemër rritet me uljen e temperaturave”, thekson kreu i hulumtimit Dr. Chrishan Baskaran.