Bajamja e tretë – problemi më i zakonshëm te fëmijët

Bajamja e tretë ose adenoidi është organ limfoid-epitelial. Konsiderohet se është organ i përkohshëm, domethënë dimensionet më të mëdha hasen tek fëmijët e moshës pesë dhe gjashtë vjeçare.

Në pubertet, në periudhën midis moshës 12 dhe 16 vjeçare, bajamja e tretë zvogëlohet ndjeshëm, kështu që në periudhën pas moshës 25 vjeçare, në shumicën e rasteve bëhet i padukshëm. Në periudhën kur e arrin maksimumin dimenzional, shpesh mund të shkaktojë pengesë të frymëmarrjes me hundë.

Sëmundjet që e prekin këtë bajame zakonisht janë të natyrës infektive. Si predispozicion për shfaqjen e tyre është përsëritja e shpeshtë e infeksioneve të fytit, veshëve dhe hundës, si dhe sëmundjeve si rubeola, fruthi… Rritja e bajames së tretë është hiperplazi fiziologjike si rezultat i reaksionit imunologjik. Këtë e ka pothuajse çdo fëmijë, por duhet theksuar se jo çdo fëmijë ka hiperplazi anormale të bajames së tretë.

Bajamja e tretë është gjëndër limfatike teke, e vendosur në kalimin nga hunda në fyt, e cila gjithashtu është pjesë e sistemit imunologjik me rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga infeksionet.

Meqenëse është vendosur në një hapësirë relativisht të kufizuar anatomike, rritja e saj çon në frymëmarrjen e vështirësuar me hundë. Me rritjen e fëmijës, bajamja e tretë zvogëlohet dhe nazofaringu rritet, prandaj problemet e shkaktuara nga hipertrofia e bajames së tretë janë më të theksuara tek fëmijët e moshës parashkollore dhe në moshën e hershme shkollore.

Fëmijët me bajame të tretë të rritur nuk mund të marrin frymë me hundë, vazhdimisht janë me gojën hapur, nuk flejnë rehat dhe gërhasi derisa flenë. Zgjohen të lodhur dhe të shpërqendruar dhe vazdhimisht kanë sekrecion në hundë të cilin nuk mund ta fryjnë jashtë. Me kalimin e kohës fitojnë një pamje karakteristike të fytyrës, ndërsa parqitet edhe inflamacioni i veshëve. Bajamja e tretë e rritur i bllokon hapjet faringeale të tubave Eustachian, kanalet përmes të cilave veshi është i lidhur me fytin, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për funksionimin e drejt të aparatit të dëgjimit. Kur këto kanale bllokohen nga bajamja e tretë e rritur, krijohen kushtet për zhvillimin e inflamacionit të veshëve, derdhje e sekretit në veshin e mesëm dhe zvogëlimin e të dëgjuarit. Gjithashtu, bajamja e tretë e rritur mund të jetë shkak i kollit kronik tek fëmijët.

Kjo gjendje nuk është e dukshme në fillim pasiqë nuk mund të diagnostikohet me kontroll të zakonshëm të mjeku ose pediatri. Prandaj gjatë çdo dyshimi për bajame të tretë të rritur, fëmija duhet të dërgohet për kontrolle shtesë te otorinolaringologu. Nëse dyshojnë se ka arrdhur edhe deri te zvogëlimi i dëgjimit, kryhen ekzaminimi audiometrik të dëgjimit, si dhe timpanometri – test me të cilin vërtetohet ekzistimi i derdhjes në veshin e mesëm.

Heqja kirurgjikale e bajames së tretë quhet adenoidektomi. Shkaku më i zakonshëm për heqjen e bajames së tretë është obstruksioni nazal, gjegjësisht frymëmarrje e vështirësuar me hundë. Fëmijët me bajame të tretë të rritur zakonisht kanë edhe apne obstruktive gjatë natës dhe frymëmarrje të çrregulluar gjatë gjumit. Zvogëlimi i dëgjimit dhe inflamacionet recidive të veshit të mesëm të përcjellë me disfunksion të tubit Eustahian dhe derdhje në veshin e mesëm, gjithashtu janë indikacione për heqjen e bajames së tretë, zakonisht me aplikim të njëkohshëm të gypave të ventilimit në membranë.