Njihni simptomat që ju dërgon trupi kur është nën stres

Mënyra moderne e të jetuarit sjell me vete një sërë zakonesh të gabuara ndaj të cilave njerëzit ekspozohen çdo ditë. Stresi kronik paraqet goditje të rrezikshme për organizmin, por trupi na dërgon sinjale të fshehta dhe simptoma të cilat duhet t'i vëmë re dhe të reagojmë në kohë.

Dhimbje të forta menstruale – Një studim i Universitetit të Harvardit zbuloi se femrat të cilat janë nën stres kanë dhimbje menstruale dhe vuajnë nga ato. Aktiviteti fizik, siç është stërvitja të paktën dy herë në javë, mund t’i lehtësojë shumë dhimbjet e tilla.

Ëndrra të çuditshme

Ëndrrat kanë ndikim të fortë dhe mund të veprojnë mbi gjëndjen shpirtërore të njerëzve pasi të zgjohen. Për shkak të stresit, mund të keni ëndrra të çuditshme dhe të tmerrshme të cilat do t’ju bëjnë që të zgjoheni disa herë gjatë natës, gjë që do të prishë gjumin tuaj dhe do ta theksojë edhe më shumë stresin. Prandaj, nëse vëreni ndryshime të tilla rregulloni gjumin me tableta me bazë natyrale, por nëse vjen deri te ndonjë çrregullim serioz i gjumit i cili zgjat për një kohë më të gjatë, kërkoni këshilla profesionale.

Dëshira për të konsumuar ëmbëlsira

Shumë studime të zhvilluara mbi gratë dhe burrat, tregojnë se personat që janë të ekspozuar ndaj stresit dhe janë nën stres, kanë një dëshirë të fortë për gjëra të ëmbla. Stresi është provuar të jetë fajtori më i madh i ngrënies së çokollatave.

Dhimbje në stomak

Tensioni mund të shkaktojë dhimbje koke, pagjumësi, por edhe dhimbje barku. Statistikat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pas një testimi të kryer mbi 1953 burra dhe gra, theksuan se personat nën stres janë dyfish më të ekspozuar dhe vuajnë më shumë nga dhimbjet e barkut.

Inflamacioni i mishit të dhëmbëve

Personat të cilët janë nën stres të vazhdueshëm për një kohë të gjatë, vuajnë nga problemet e mishit të dhëmbëve, sidomos nga paradentoza. Kur organizmi është nën stres kronik, ai bëhet i ndjeshëm ndaj baktereve të cilat më së shumti sulmojnë mishin e dhëmbëve.

Shfaqja e akneve dhe puçrrave

Me këtë problem më së shpeshti përballen femrat të cilat janë nën stres, por edhe burrat nuk janë anësh. Puçrra shfaqet në zonën e ballit dhe faqeve. Stresi tek disa persona mund të shkaktojë problem të qëndrueshëm, siç është shfaqja e rosaceas, e cila në fakt nuk trajtohet, por mund të mbahet nën kontroll nga përhapja e mëtejshme me anë të preparateve mjekësore.