Cilat simptoma të pazakonta mund të jenë shenja të shtatzënisë?

Ënjtje e duarve, dhimbje kyçesh, gjakderdhje nga hunda, teshtitje, gërhitje dhe uri e fortë: këto janë të gjitha simptomat e shtatzënisë që ndoshta nuk i keni ditur.

Simptomat më të hershme të shtatzënisë janë mungesa e menstruacioneve, ndryshimet e shpeshta të humorit, ndjeshmëria e gjoksit, vjellja dhe lodhja. “Gjatë shtatzënisë trupi ndryshon nën ndikimin e një doze të madhe të hormoneve dhe akumulimit të lëngjeve në sistemin e qarkullimit të gjakut, për shkak të nevojave të fëmijës në bark dhe përgatitja e organizmit për lindje”, shpjegon gjinekologia Petra Podobnik Brleçiq.

Kur bëhet fjalë për simptomat e shtatzënisë, shumë nëna të ardhshme pyesin nëse ka ndonjë simptomë të pazakontë që do ti bëjë të mendojnë se janë shtatzënë. Dr.Podobnik Brleçiq thotë se disa gra shtatzëna mund të përjetojnë ënjtje të fortë të duarve dhe dhimbje në kyçe, dhe në raste më të rënda sindroma e tunelit karpal (lëngu i grumbulluar shtyp nervat e tunelit karpal) me ndjesi shpimi gjilpërash dhe dobësi.

Gjakderdhja nga hunda është një nga simptomat

Gjakderdhja nga hunda është një nga simptomat e pazakonta që shfaqet për shkak të ndjeshmërisë së mukozës dhe zgjerimit të kapilarëve në hundë. Dr Podobnik Brleçiq ka komentuar se në rastet më të lehta thjesht ndalet, dhe në rast të gjakderdhjes së vazhdueshme duhet bërë një tampon nazal, i cila  bllokon mukozën më gjatë dhe parandalon gjakderdhjen. “Presioni i lartë i gjakut duhet të përjashtohet sigurisht si një shkak i rrezikshëm i gjakderdhjes nga hundët”, paralajmëron ajo.

Kushtojini vëmendje gërhitjes dhe teshtitjes

Teshtitja dhe rrjedhja e fortë e hundës ndodhin për shkak të hormoneve dhe rritjes së lëngjeve në trup, gjë që rrit trashësinë e mukozës së hundës që sekreton sekrecione. Prandaj ndodh edhe gërhitja, për të cilën mund t’ju ketë paralajmëruar partneri. “Mund të mbahet nën kontroll duke blerë një tretësirë të kripur, e cila do mund të përdoret edhe në rastet e bllokimit të plotë të hundës, thotë mjekja.

Lodhje apo shtatzëni?

Lodhja është më e zakonshme në pjesën e parë të shtatzënisë për shkak të rritjes së madhe të hormonit progesteron. Gratë që më parë nuk mund të flinin gjatë ditës, papritur ndjejnë nevojën të pushojnë pak pasdite. Lodhja mund të ndihet që një javë pas konceptimit. Çdo grua është e ndryshme, kështu që disa do t’i vënë re shenjat e para shumë herët, ndërsa disa gra shtatzëna as që do ta kuptojnë se janë shtatzënë për dy muajt e parë. Disa simptoma që mund të shfaqen padyshim që nuk lidhen me shtatzëninë, por shkaktohen nga ndryshimet në trup.

Përktheu dhe përshtati:S.N