Dr. Danica Popovska: Nëse dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës shoqërohet me dhimbje të forta barku, menjëherë vizitohuni te mjeku (1)

Pjesa e belit (pjesa e poshtme e shpinës) është strukturë komplekse e eshtrave, nyjeve, ligamenteve, muskujve dhe nervave të lidhura ndërmjet veti, të cilat funksionojnë në mënyrë sinkronike për të siguruar mbështetje, forcë dhe fleksibilitet dhe për të mundësuar mbajtjen e pjesës së sipërme të trupit dhe lëvizjeve, si përkulje ose rrotullim. 

Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës mund të jetë e butë dhe irrituese ose shumë e fortë dhe të mund ta bëj plotësisht të paaftë pacientin. Mund të fillojë papritmas me intensitet të madh ose gradualisht, të shfaqet dhe të zhduket ose të përkeqësohet gradualisht.

Dhimbja kronike e shpinës zgjat më shumë se 3 muaj dhe nuk kalon nëpër trajtimet e zakonshme të dhimbjes. Për dhimbje të tilla janë të nevojshme ekzaminimet, me qëllim që të përcaktohet shkaktari i vërtetë i dhimbjes.

Shkruan: Dr. Danica Popovska, specialiste e ortopedisë

Pothuajse të gjithë njerëzit përjetojnë një ose më shumë episode të dhimbjes në pjesën e poshtme të shpinës gjatë jetës. Sipas intensitetit dhe kohëzgjatjes, dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës ndryshon shumë nga një person tek tjetri.

Pjesa e belit (pjesa e poshtme e shpinës) është strukturë komplekse e eshtrave, nyjeve, ligamenteve, muskujve dhe nervave të lidhura ndërmjet veti, të cilat funksionojnë në mënyrë sinkronike për të siguruar mbështetje, forcë dhe fleksibilitet dhe për të mundësuar mbajtjen e pjesës së sipërme të trupit dhe lëvizjeve, si përkulje ose rrotullim.  Muskujt e shpinës mundësojnë mbajtjen e trupit në poziconin drejtë, përkulje, kthimi anash dhe lëvizje të caktuara të ijeve. Nervat e pjesës së poshtme të shpinës janë përgjegjës për ndjesinë dhe lëvizjen e muskujve të këmbëve dhe legenit.

Sipas intensitetit dhe kohëzgjatjes, dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës ndryshon shumë nga një person tek tjetri.

Struktura e tillë komplekse është e ndjeshme ndaj një sërë lëndimesh dhe çrregullimesh, simptomat e të cilave shpesh mbivendosen, kështu që burimi i saktë dhe shkaku i dhimbjes mund të jetë e vështirë për tu përcaktuar. Për shembull, muskul i tërhequr dhe disku i degjeneruar midis vertebrave, mund të shkaktojnë dhimbje dhe spazma të muskujve në të njëjtën pjesë të shpinës.

Simptomat – manifestimi

Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës mund të jetë e butë dhe irrituese ose shumë e fortë dhe të mund ta bëj plotësisht të paaftë pacientin. Mund të fillojë papritmas me intensitet të madh ose gradualisht, të shfaqet dhe të zhduket ose të përkeqësohet gradualisht. Varësisht nga shkaqet e dhimbjes, mund të shprehet si:

  • Dhimbja e topitur në pjesën e poshtme të shpinës – mund të shoqërohet nga spazma e muskujve dhe lëvizshmëria e kufizuar.
  • Dhimbje me djegie e cila shtrihet deri te vithet ose pjesa e mbrapme e sipërme e kofshëve.
  • Dhimbje me ndjesi shpimi gjilpërash e cila shtrihet nga këmbëa në shputë – ishiasi (dhimbje të nervit shiatik), e cila nganjëherë mund të shfaqet edhe pa dhimbje në shpinë.
  • Spazma (ngërçet) e muskujve në pjesën e poshtme të shpinës dhe legenit.
  • Dhimbja e cila përkeqësohet gjatë të qëndruarit ulur ose në këmbë. Qëndrimi gjatë në pozicion ulur shkakton presion mbi diskusin midis vertebrave dhe përkeqësimin e dhimbjes, e cila zvogëlohet kur pacienti të ngrihet dhe të lëviz.
  • Dhimbja e cila është më e theksuar ose që zvogëlohet gjatë ngritjes, uljes ose përkuljes. Ndonjëherë tek pacientët me stenozë kurrizore, presioni mbi kanalin kurrizor zvogëlohet gjatë përkuljes përpara, kështu që dhimbja zvogëlohet. Tek këta pacientë mbështetja në ndonjë objekt ose lëvizja përpjetë zvogëlon dhimbjen, ndërsa qëndrimi drejtë apo lëvizje tëposhtë e rrit dhimbjen.

Në varësi të kohës së shfaqjes dhe kohëzgjatjes mund të jetë:

  • Dhimbje akute – shfaqet papritur dhe zgjat disa ditë ose javë. Është tipike e lëndimeve, si tërheqja e muskujve dhe paraqet reaksion normal të dëmtimit të indeve. Kjo dhimbje ndodh papritur pas një aktiviteti të caktuar, si: ngritja e një objekti të rëndë, tërheqja e papritur ose rënia. Mund të jetë shumë e fortë, por nëse nuk bëhet fjalë për frakturë të vertebrës nuk është serioze dhe zvogëlohet gradualisht me shërimin e indeve.
  • Dhimbja subakute e pjesës së poshtme të shpinës – zgjat nga 6 javë në 3 muaj, zakonisht është mekanike, buron nga dëmtimi i muskujve, nyjeve dhe ligamenteve. Në prani të dhimbjeve të tilla, sidomos nëse është më intensive dhe i vështirëson aktivitetet e përditshme, është i nevojshëm kontrolli mjekësor.
  • Dhimbje kronike të shpinës – kjo dhimbje zgjat mbi 3 muaj, nuk kalon me trajtimet e zakonshme të dhimbjes. Për dhimbje të tilla janë të nevojshme ekzaminimet që të përcaktohet shkaktari i vërtetë i dhimbjes.

Dhimbja me origjinë nga shtylla kurrizore dhe muskulatura mund të kategorizohet në:

  • Dhimbje mekanike – kjo dhimbje zakonisht është dhimbje e pjesës së poshtme të shpinës. Dhimbja shtrihet në pjesën e poshtme të shpinës, mund të përhapet në vithe ose pjesën e sipërme të ijeve. Dhimbja vjen nga çrregullimet (lëndime, sëmundje degjenerative ose reumatike) të muskujve, ligamenteve, nyjeve dhe eshtrave nga dhe për rreth shtyllës kurrizore. Kjo dhimbje shpesh ndikohet nga ngarkesa – të qëndruarit ulur, në këmbë ose në lëvizje të caktuara.
  • Dhimbja radikulare – kjo dhimbje shfaqet gjatë presionit të rrënjëve nervore të nervave të cilat dalin nga shtylla kurrizore dhe shkojnë në legen dhe këmbë. Kjo dhimbje shtrihet në zonën e përhapjes nervore, më së shpeshti në pjesën e pasme të këmbës deri te shputa (ishiasi) dhe është më e mprehtë, me ndjesi shpimi gjilpërash. Mund të ketë dobësim ose paralizë të muskujve të kontrolluar nga nervat e shtypura. Zakonisht ndihet vetëm në njërën anë të trupit.

SIMPTOMAT PËR TË CILAT ËSHTË I NEVOJSHËM KONTROLLI MJEKËSOR

Ndonjëherë dhimbja e pjesës së poshtme të shpinës shoqërohet me simptoma të tjera, të cilat tregojnë për gjendje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Kontrolli i menjëhershëm mjekësor është i nevojshëm gjatë shfaqjes së simptomave të mëposhtme:

  • Humbja e kontrollit të urinimit dhe kontrollit të shkarkimit të zorrëve;
  • Dobësimi i muskujve ose paraliza e shputave ose grupeve të tjera të muskujve të këmbëve;
  • Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës shoqëruar me dhimbje të forta stomaku;
  • Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës shoqëruar nga temperatura dhe ethet;
  • Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës shoqërohet me humbjen e menjëhershme të peshës, pa ndryshuar mënyrën e të ushqyerit ose aktivitetit fizik.

(Vijon: Shkaktarët e dhimbjes në pjesën e poshtme të shpinës dhe caktimi i diagnozës)