Dr. Zoran Jovanovski: Rreth 90% e femrave herë pas here i kanë simptomat kryesore të PMS-it

E nevojshme është historia e saktë, si dhe ekzaminimi i detajuar klinik për të caktuar diagnozën e PMS-it.

Shkruan: Dr. Zoran Jovanovski

Gjinekolog – obstetër


Sindroma premenstruale – PMS është çrregullim psikoendrokin me bazë biologjike, psikologjike dhe sociale. Kjo sindromë zakonisht shfaqet midis moshës 20 dhe 40 vjeçare, por mund të shfaqet edhe meë herët ose më vonë. Rreth 90 përqind e femrave herë pas here i kishin simptomat kryesore të PMS-it, rreth 20-40 përqind vuajnë nga kufizime të caktuara fizike dhe psikologjike, ndërsa rreth 5 përqind e përjetojnë PMS si një formë të rëndë të stresit psikofizik.

Shkaktari i saktë, etiologjia e PMS-it nuk dihet, megjithëse ekzistojnë disa teori.

  • Teoria hormonale – mendohet se ka pabarazi midis estrogjeneve dhe hormonit progesteron, rritja e prodhimit të aldosteronit, hiperprolaktinemisë, rritje të prodhimit të prostaglandinës.
  • Teoria jo-hormonale – Ndodh hipoglikemia, hipovitaminoza, infeksionet, sinteza e çrregulluar e neurotransmetuesit (rënia premenstruale e endorfinës).
  • Teoria psikogjenike – për shkak të depresionit, tensionit mendor.

Kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë po flitet për etiologjinë bio-psiko-sociale të PMS-it.

Sipas kësaj teorie, konsiderohet se ndërveprimi midis faktorëve biologjik, social dhe psikologjik është shkaku i PMS-it. Ndryshimet hormonale në fazën premenstruale (luteale), për shkak të rritjes së përqendrimit dhe raportit të çrregulluar të estrogjenit dhe progesteronit, e stimulojnë shfaqjen e këtij sindromi tek femrat që janë biologjikisht dhe psikologjikisht të prirura për zhvillimin e PMS-it.

Simptomat e PMS-it shfaqen vetëm në fazën e dytë të ciklit menstrual.

Simptomatologjia e plotë e sindromës premenstruale nuk është e njohur plotësisht dhe sot raportohen rreth 150 simptoma të ndryshme. Më të zakonshmet janë: ënjtja, shtimi në peshë, lodhja, ndjeshmëria emocionale dhe tensioni psiqik. Pastaj pasohen nga dhimbje të pacaktuara të barkut, kokëdhimbje, ënjtje, çrregullime të gjumit, ndryshime të gjendjes shpirtërore, çrregullime të sjelljes, izolim shoqëror, të qara dhe ndryshime në aktivitetin seksual.

Kriteret klasike për konfirmimin e PMS-it janë: mos pasja e simptomave në 7 ditët e para të ciklit menstrual, përsëritja e simptomave gjatë të paktën tre cikleve të njëpasnjëshme menstruale, dhe ato simptoma duhet të jenë mjaft të forta për të kërkuar trajtim mjekësor.

Rreth 90 përqind e femrave herë pas here i kanë simptomat kryesore të PMS-it, rreth 20-40 përqind vuajnë nga kufizime të caktuara fizike dhe psikologjike, ndërsa rreth 5 përqind e përjetojnë PMS-in si një formë të rëndë të stresit psikofizik.

Përndryshe, e nevojshme është historia e saktë dhe shteruese, si dhe ekzaminimi i detajuar klinik për të caktuar diagnozën e PMS-it. Në të njëjtën kohë, duhet të përjashtohen shkaqet organike të problemeve të ngjashme për organet gjenitale, traktit urinar dhe digjestiv. Është e rëndësishme që ankesat që i bën pacienti të mos dobësohen, por edhe të mos bëhen më të theksuara.

Simptomat e PMS-it tek shumica e pacientëve janë shumë specifike, të lokalizuara mirë dhe përsëriten në intervale të rregullta. Nganjëherë mund të përkeqësohen për arsye psikologjike dhe emocionale dhe atëherë manifestohen si sulme me dhimbje të forta koke dhe ndriçim para syve, pasuar nga të vjellat.

Simptomatologjia e ndërlikuar dhe etiologjia e paqartë e PMS-it e bëjnë të ndërlikuar si qasjen terapeutike, ashtu edhe konceptin e trajtimit të PMS-it.

Trajtimi i PMS-it mund të ndahet në tre grupe: trajtimi simptomatik, terapia hormonale, dietike ose trajtimi me metoda alternative.

Trajtimi simptomatik konsiston në administrimin e analgjetikëve, diuretikëve dhe antihistaminës. Gjatë dhimbjeve të kokës jepen analgjetikë me veprim anti-prostaglandin. Agjentët për qetësim dhe ilaqet kundër depresionit jepen vetëm për disa ditë. Diuretikët përdoren gjatë shfaqjes së ënjtjeve.

Kontracepsioni hormonal oral është metodë zgjedhjeje për trajtimin e PMS-it. Tek shumica e femrave nëpërmjet këtij trajtimi lehtësohen simptomat, por për fat të keq, tek një numër i vogël ato përkeqësohen. Terapia me multivitamin me B6, magnez dhe zink shpesh përdoret në trajtimin e PMS-it. Sa u përket ilaçeve të tjera përdoren antibiotikët, imunoterapia, acidet yndyrore esenciale, beta-bllokuesit, ndërsa nga metodat alternative – masazh të trupit, pushim, izolim, edukim, joga, psikoterapi në grup, dieta, terapi muzikore, ilaçet homeopatike, akupunktura, hipnoza, madje edhe elektrostimulimi intravaginal. Efektet e këtyre metodave alternative deri më tani nuk janë konfirmuar.