Manual modern për pacientët me Diabetes mellitus: Komplikimet e vonshme të diabetit (25)

Përgjigjet e pyetjeve rreth diabetit, shenjave kryesore të sëmundjes, sheqerit të gjakut ose glikemia, shkaqet e diabetit të tipit 2... ju sjellim përmes edicionit të titulluar Manuali modern i pacientëve me Diabetes mellitus, të Prof. Dr. Milço Bogoev dhe Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Diabeti është një nga sëmundjet më masive bashkëkohore, e cila diagnostifikohet lehtë, ndërsa me edukimin e duhur pengohet dhe kontrollohet në masë të madhe. Ky manual është menduar kryesisht për njerëzit me diabet dhe të afërmit e tyre, si dhe për profesionistët mjekësorë të cilët merren me edukimin. Librin e rekomandojmë për studentët, si dhe për mjekët të cilët fillojnë të merren me diabetin, për t’i përvetësuar me mirë njohuritë praktike.  

Dr. Milco Bogoev, internist-endokrinolog
Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Sëmundja e sheqerit ose Diabetis melitus (Diabetes mellitus) është sëmundje kronike ose mund të themi sëmundje e përjetshme, e karakterizuar nga çrregullimi, kryesisht metabolizmi i karbohidrateve, por edhe i yndyrave dhe proteinave dhe me ndryshime specifike të enëve të gjakut.

 

 

Diabeti është sëmundje e cila shkakton komplikime të shumta në enët e gjakut në të gjithë organizmin. Preken të gjitha enët e gjakut, si të mëdhat ashtu edhe enët e vogla të gjakut. Ndryshimet në enët e mëdha të gjakut të shkaktuara nga diabeti shënohen si makroangiopati diabetike, ndërsa ndryshimet në enët e vogla të gjakut, të cilat janë specifike për diabeti shënohen si mikroangiopati diabetike. Mikroangiopatia diabetike i prek kapilarët e syve (retinopati), të veshkave (nefropati), si dhe të nervae (nevropati). Sot konsiderohet se diabeti i tipit 1 (diabeti i varur nga insulina) është sëmundje në të cilën mbizotëron mikroangiopatia, ndërsa diabeti i tipit 2 (ose diabeti jo i varur nga insulina) është sëmundje në të cilën mbizotëron makroangiopatia diabetike.

Mbani mend:

Ndryshimet në enët e gjakut kryesisht varen nga ju. Nëse lejoni që glikemia juaj të jetë e lartë dhe e pakontrolluar për një periudhë të gjatë kohore, atëherë edhe enët e gjakut do të jenë më të dobëta. Duke vepruar kështu, jeta juaj do të jetë më e shkurtër dhe më e vështirë, por gjithashtu do të jeni barrë për të afërmit tuaj dhe mjedisin në të cilin jetoni. Vlerat e larta të glikemisë pas ushqimit janë veçanërisht të dëmshme dhe me ndikim, prandaj, preferohet kontrolli i tyre i rregullt dhe korrigjimi i mënyrës së të ushqyerit dhe terapisë. Sa më mirë që ta njihni sëmundjen tuaj, aq zhvillim më të mirë do të ketë, ndërsa jeta juaj do të jetë më e këndshme dhe normale.

SËMUNDJET E ENËVE TË VOGLA TË GJAKUT NË DIABET OSE MIKROANGIOPATI DIABETIKE

Retinopatia diabetike

Diabeti afatgjatë dhe i rregulluar dobët çon në ndryshime tek sytë. Më së shumti vuajnë kapilarët (enët më të vogla të gjakut) të cilat gjenden në pjesën më të ndjeshme të syrit
të quajtur retinë. Ndryshimet në fillim janë në formën e hemoragjisë me pika, të cilat bëhen gjithnjë e më të gjera, gjë që e dëmton ndjeshëm shikimin. Vendet ku ka pasur gjakderdhje nënkuptojnë dëme të përhershme të mbaresave nervore të retinës. Ato nuk mund të rigjenerohen, kështu që nuk atë pjesë nuk ka korrigjim të shikimit. Për shkak të kësaj, diabeti është një nga shkaktarët më të zakonshëm të verbërisë në botë.

Ndryshimet në diabet ndikojnë zonën e ashtuquajtur pika e verdhë. Pika e verdhë (ose macula lutea) është vendi ku ka më shumë mbaresa nervore të cilat e transmetojnë imazhin nga bota e jashtme në tru. Gjatë dëmtimit të kësaj pjese humbet mprehtësia e shikimit. Shikimi bëhet i turbullt dhe nuk ekzistojnë përmirësime të mundshëm me ndihmën e syzeve ose pajisjeve të tjera. Ky ndryshim quhet makulopati diabetike. Retinopatia mund të jetë jo proliferative dhe proliferative ose e pakthyeshme. Ju gjithashtu duhet të dini se nuk ka shërim specifik për retinopatinë diabetike.

Ilaçi i vetëm i vërtetë është parandalimi, i cili përbëhet nga:

1. Diabeti i rregulluar mirë;
2. Kontrollet e rregullta të syve tek okulisti;
3. Kalimi në terapinë me insulinë gjatë paraqitjes së retinopatisë.

Duhet të dini se në fillimin e shfaqjes së ndryshimeve të syrit tek diabeti, ata mund të kthehen në normale, nëse menjëherë konsultoheni me diabetologun dhe sa më shpejtë e normalizoni glukozë në gjak. Deri më tani, laseri mbetet metoda e vetme për parandalimin e përparimit të komplikimeve të syve tek diabeti, por aplikimin e terapisë me lazer mund ta caktojë vetëm oftalmologu.

Neuropatia diabetike

Ndikon në sistemin nervor tek diabeti. Mund të dëmtohen disa pjesë të sistemit nervor, ndërsa më së shpeshti ndjeshmëria (nervat që transmetojnë ndjenja, si të ftohtit, nxehtësia, dridhje), pastaj nervat që zbatojnë komandat e funksionit të muskujve (nervat motorike) gjë që mund të çoj në mos funksionimin e gjymtyrëve, ndërsa në fund vuajnë edhe nervat e sistemit vegjetativ (sistemi ky i cili zbaton komandat që nuk varen nga vullneti ynë, si: djersitja, puna e zemrës, kontrolli i tensionit të gjakut në pozicion të shtrirë dhe në këmbë, funksionimin dhe kontrollin e bebëzave, ereksionin tek organet gjenitale etj).

Shenjat më të zakonshme të paraqitjes së neuropatisë janë si më poshtë:

  • Shfaqja e ndjeshmërisë si djegie dhe nxehtësi në gjymtyrët e poshtme, pothujase vetëm ose më shumë në njërën anë (asimetrike);
  • Mungesa ose zvogëlimi i ndjeshmërisë së kontaktit, të ftohtë ose të nxehtë;
  • Humbja e ndjeshmërisë së dridhjeve, e cila provohet lehtë me të ashtuquajturën tuning fork;
  • Djersitje e çrregulluar, siç është djersitja e njërsë anë ose e një pjese të trupit;
  • Ndryshime në puls dhe rënia e tensionit të gjakut gjatë ngritjes nga pozicioni i shtrirë;
  • Diarre të shpeshta të pashpjegueshme, të cilat pak ose aspak nuk reagojnë ndaj barnave, të cilat zëvendësohen nga periudhat e kapsllëkut;
  • Tek meshkujt reflektimi më i zakonshëm i neuropatisë vegjetative është impotenca, të cilën për fat të keq, për arsye të njohura, shumica e fshehin atë. Për fat të mirë, sot ka mundësi trajtimi të impotencës tek meshkujt;
  • Çrregullime në ejakulim, domethënë kur sperma kthehet në fshikëz (retrospermia);
  • Vështirësi ose pamundësi për të urinuar (fshikëza neuropatike);
  • Vështirësi në shkarkimin e lukthit.

Ndryshimet më të zakonshme në neuropati shfaqen tek shputat. Për shkak të humbjes së ndjesisë, shputat bëhen të pandjeshme ndaj temperaturës së jashtme dhe presionit. Kështu që, vendet ku presioni është më i madh, siç është gishti i madh, thembra dhe gishti i vogël, pësojnë ndryshime nga ana e jashtme dhe ana e poshtme sa i përket trashjes së lëkurës. Në ato vende ku prekja është më e fortë, lëkura e tillë e trashur e rrit gjithnjë e më shumë presionin, kështu që shfaqen plagë pa dhimbje. Plagët, për shkak se nuk dhembin, bëhen jashtëzakonisht të thella, shpesh deri në eshtra dhe tendina. Sigurisht, plagët lehtë infektohen, bëhen me qelb, ndërsa bakteret përhapen në indet përreth duke shkaktuar gangrenë.

Këto plagë janë veçori vetëm e diabetit, dhe ato quhen ulçera trofike (plagë) ose Ulcus tropicum. Pa dhimbje ose humbja e ndjeshmërisë së ngrohtësisë, shpien në shfaqjen e djegive ose ngrirjeve në këmbë (rrallë në duar), sidomos në dimër, kur këmbët ngrohen në ndonjë ngrohës ose ndonjë burim tjetër ngrohjeje. Djegiet janë pa dhimbje dhe mund të përparojnë deri në shkrumbimin e shputave. Le të theksojmë se për neuropatinë diabetike nuk ekziston kurë e veçantë ose specifike, përveç kontrollit të mirë të sheqerit.

Nefropatia diabetike ose veshka diabetike

Tek diabeti, të shpeshta janë edhe ndryshimet në veshka janë gjithashtu të mundshme. Numri i diabetikëve që trajtohen me dializë është i madh dhe vazhdon të rritet. Për fat të keq, shenjat e para vihen re shumë vonë, dmth., atëherë kur nuk mund të ndihmohet shumë. Me qëllim që të lehtësohet ose shmanget nefropatia, janë të nevojshme kontrollet e uresë, herë pas here edhe të gjakut, me metod që i janë të disponueshme edhe në kushte shtëpiake, si shiritat për kontrollin  e albuminit ose mikroalbuminurinë në ure.

Shfaqja e proteinave në ure tashmë është një shenjë alarmante e pranisë së nefropatisë diabetike. Ky fenomen përcaktohet si albuminuri. Shfaqja e albuminurisë do të thotë se veshkat lëshojnë proteina, të cilat nuk duhet ti ketë një person i shëndetshëm. Shenjat e para të proteinurisë mund të jenë të kthyeshme, nëse rregullohet glukoza në gjak dhe tensioni i gjakut. Sot, ekzistojnë barna për rregullimin e tensionit të gjakut, të cilat nëse merren herët, mund të zvogëlojë albuminurinë. Ky është grupi i ACE inhibitorëve. Kontrolli i tensionit të gjakut, si dhe rregullimi i tij, i vonojnë ndryshimet në veshkat. Edhe këtu nuk ka barna specifike, përveç rregullimit të mirë të glukozës.

Çfarë është glikozilimi?

Nivelet e rritura të sheqerit në gjak për një kohë të gjatë, çojnë në pasoja të qëndrueshme në të gjitha organet dhe indet e trupit, ndërsa më shumë tek të gjitha llojet e enëve të gjakut. Glikemia e përhershme ose afatgjat çon në një reaksion specifik me pothuajse të gjitha organet dhe substancat tek njeriu. Kështu për shembull, krijohet lidhja midis molekulave të glukozës ose produkti nga metabolizmi i glukozës për pjesë të proteinave, aminoacideve, hemoglobinës, trombocitet si dhe materiali gjenetik, i cili gjendet në bërthamën qelizore (DNA). Gjatë lidhjes fitohen produktet e glikoziluara ose produktet Amadori, të cilat nuk kanë asnjë rol (fiziologjikisht janë steril) në trup. Këto produkte janë të dëmshme. Veçanërisht i dëmshëm është glikozilimi i ADN-së. Glikozilimi i ADN është baza e ndryshimeve fatale në fetus dhe numrin e madh të lindjeve të vdekura ose fëmijëve me anomali të lindura tek nënat me diabet të parregulluar. Kjo do të thotë se diabeti mund të ndikojë drejtpërdrejtë edhe tek pasardhësit, por edhe në mundësinë e zhvillimit të proceseve malinje në organizëm.
Glikozilimi i pjesëve (shtresave) të enëve të gjakut është një proces i pakthyeshëm dhe paraqet një problem mjaft serioz tek diabeti. Produktet përfundimtare të procesit të glikozilimit etiketohen gjithashtu si AGE ose produkte të qëndrueshme dhe përfundimtare të glikozilimit. Do të përmendja se në fakt glikozilimi i prek edhe trombocitet e gjakut, prandaj aspirina e cila jepet për parandalimin e infarkteve, ka efekt shumë më të dobët tek personat me diabet se sa tek personat tjerë. Të gjitha këto efekte të dëmshme të glikemisë së lartë janë pasqyrim i të ashtuquajturës memoria qelizore glikemike.

HEMOGLOBIN I GLIKOSILUAR OSE HEMO-GLOBINË A1c

Bëhet fjalë për një fraksion të vogël dhe të veçantë të hemoglobinës, e cila rritet nëse glikemia rritet mbi vlerat normale gjatë një periudhe më të gjatë kohore. Ky fraksion është i pranishëm tek çdo person dhe ka vlera normale, të cilat lëvizin deri në 6 ose 6% të totalit të hemoglobinës. Kuptimi ose roli i këtij fraksioni të hemoglobinës në organizmin e njeriut nuk është i njohur. Rëndësia e tij është se ai jep pasqyrim në rregullimin e diabetit gjatë gjashtë deri tetë javëve të kaluara, pasiqë aq kohë është e nevojshme për të ndodhur ndryshimet në vlerat normale të kësaj hemoglobine.

Mund të themi se hemoglobina A1c i jep vlerat mesatare ose më të shpeshta të glikemive të personit që është duke u ekzaminuar. Kështu kemi pasqyrë të rregullimit të diabetit në periudhën e kaluar të përmendur. E nevojshme është që të përcaktohet në mënyrë rutinore disa herë në vit. Por duhet të theksohet se akoma nuk ka një metodë të standardizuar për përcaktimin e HbA1c në botë. Gjithashtu, nuk është plotësisht e përcaktuar nëse vlerat gjatë urisë ose ato pas ngrënies, ndikojnë në nivelin e hemoglobinës së glikosiluar. Megjithatë, gjithnjë e më shumë mbizotëron mendimi se glikemia postprandiale në masë të madhe ndikon në formimin e vlerave të hemoglobinës së glikoziluar.



Përgatitjet për kirurgji dhe ndërhyrjet stomatologjike

Diabeti nuk është pengesë për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale ose stomatologjike. Ju duhet të informoni kirurgun ose stomatologun se jeni me diabet dhe se me çfarë trajtoheni. Është absolutisht e nevojshme që para, gjatë dhe pas operacionit duhet të merrni insulinë. Llojin dhe dozën duhet t’ju përcaktoj diabetologu. Për ndërhyrje dentale të thjeshta, që nuk kanë të bëjnë me kirurgji, e mjaftueshme është vetëm glukoza e mirë.

NUK REKOMANDOHET ASNJËFARË NDËRHYRJE GJATË KOHËS QË KENI TEMPERATURË DHE / OSE ACETON NË URINË, DERISA DIABETI TË NORMALIZOHET PLOTËSISHT.

(vazhdon)

http://pzuprofdrbogoev.com/