Pse rritet gjithnjë e më shumë rreziku i depresionit prenatal?

Arsyet kryesore për rritjen e shkallës së depresionit prenatal janë: puna dhe përpjekja për të sinkronizuar përgjegjësitë familjare dhe të punës, presioni i rrjeteve sociale dhe internetit, të cilat nxisin krahasimet dhe gratë shtatzëna i përmbytin me informacione, presioni financiar dhe nevoja për siguri dy rroga në familje për një jetë të mirë, mungesa e mbështetjes familjare dhe shoqërore për gratë shtatzëna

Gratë shtatzëna të ditëve të sotme kanë më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni sesa nënat e tyre, tregoi studimi i ri britanik.

“Stresi i botës moderne është ndoshta arsyeja për këtë rritje”, tha udhëheqësja e hulumtimit Rebecca Pearson, eksperte e epidemiologjisë psikiatrike në Universitetin Bristol të Britanisë së Madhe.

“Të dhënat tona tregojnë se simptomat që lidhen me rritjen e numrit të rasteve të depresionit kanë të bëjnë me stresin dhe ndjenjën e ngopjes, si dhe vështirësi të caktuara, por jo ndjenjën e mungesës së motivimit ose të fundosjes. Ajo e mbështet teorinë se bëhet fjalë për pasojat e botës së shpejt moderne”, thotë Pearson.

“Ndërsa depresioni pas lindjes tashmë është një problem i njohur, në dhjetëvjeçarin e fundit gjithnjë e më shumë vëmendje i kushtohet simptomave që shfaqen para se të lindë foshnja”, shpjegon Dr. Priya Gopalan, psikiatre në spitalin e sëmundjeve të grave në Pittsburgh.

“Atë që tradicionalisht e kemi quajtur depresion pas lindjes, në të vërtetë fillon në tremujorin e tretë”, theksoi Gopalan. Sipas hulumtimit, rezultatet e të cilit u botuan në revistën JAMA Network Open, ekipi i hulumtimit krahasoi 2 390 gra, të cilat kanë lindur fëmijë në fillim të viteve 1990 me 180 gra të gjeneratës së ardhshme, të cilat ishin ose vajzat ose nuset e nënave të grupit të parë.

Midis gjeneratës së vjetër, 17% kishin simptoma të depresionit gjatë shtatëzanisë, ndërsa 25% e gjeneratës së re vuanin nga depresioni

Mosha mesatare e grave në të dyja grupet ishte midis moshës 22 dhe 23 vjeçare. Midis gjeneratës së vjetër, 17% kishin simptoma të depresionit gjatë shtatëzanisë, ndërsa 25% e gjeneratës së re vuanin nga depresioni. Bijat e grave që vuanin nga depresioni prenatal, kishin rrezik veçanërisht të lartë për të zhvilluar atë.

Studimi zbuloi se ata kishin tre herë më shumë shanse për të zhvilluar simptomat e depresionit, krahasuar me gratë shtatzëna, nënat e të cilave nuk vuanin nga depresioni gjatë shtatëzanisë.

Sipas Pearson, arsyet kryesore për rritjen e shkallës së depresionit prenatal janë: puna dhe përpjekja për të sinkronizuar përgjegjësitë familjare dhe të punës, presioni i rrjeteve sociale dhe internetit, të cilat nxisin krahasimet dhe gratë shtatzëna i përmbytin me informacione, presioni financiar dhe nevoja për siguri dy rroga në familje për një jetë të mirë, mungesa e mbështetjes familjare dhe shoqërore për gratë shtatzëna dhe presioni gjithnjë e në rritje për të përmbushur marrëdhënie intime me partnerin.