Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar teknikë që lufton dhimbjet e dhëmbit

Shkencëtarët kanë zbuluar një teknikë, falë së cilës mund të luftohen sëmundjet e dhëmbëve.

Në studimin e botuar në revistën “Nature Communications”, hulumtuesit nga Universiteti Queen Mary kanë zbuluar një teknikë për rritjen e substancave minerale të cilat mund të rikthejnë indet e forta, siç është smalti i dhëmbëve dhe kockave.

Shkatërrimi i smaltit të dhëmbëve shpie në dhimbje dhëmbi, ndërsa gradualisht edhe në humbjen e dhëmbit, që ndodh në gjysmën e popullsisë së botës. Gjetja e një mënyre për të ruajtur ose shëruar dhëmbët, që prej kohësh paraqet problem për stomatologjinë.

Studimi interpreton një qasje të re, e cila me saktësi të madhe, mund të krijojë substanca të cilat do të zëvendësojnë smaltin e dhëmbëve dhe do të duken si ai.

Substancat e reja mund të përdoren për të parandaluar shumë komplikime të dhëmbëve, por për të trajtuar edhe dhëmbët e prishur ose mbindjeshmërinë e tyre.

Kontrolli i procesit të mineralizimit hap mundësinë e krijimit të substancave, me veti që zëvendësojnë indet e forta të ndryshme, si smalti dhe eshtrat. Shkencëtarët theksojnë se projekti i tyre ka potencial të madh në mjekësinë rigjeneruese.