Botulizmi – forma e rëndë e helmimit me ushqim

Simptomat e sëmundjes shfaqen 18 deri në 36 orë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar. Sa më e madhe të jetë sasia e ushqimit të kontaminuar që futet në trup, aq më shpejt shfaqen simptomat.

Botulizmi është sëmundje e rrallë por shumë e rëndë e shkaktuar nga bakteria anaerobe Clostridium botulinum e cila prodhon spore dhe helm toksik. Ajo është shumë e përhapur në natyrë, në tokë, si dhe në feçet e minjve dhe maceve. Toksina shpesh prodhohet në ushqimet e prishura, ndërsa burimi më i zakonshëm i kontaminimit për njerëzit janë ushqimet e konservuara dhe produktet e mishit të thatë. Sëmundja mund të fitohet edhe nëse një pjesë e dëmtuar e lëkurës vjen në kontakt me shkaktarin e sëmundjes. Sëmundja nuk është ngjitëse, por shfaqet papritmas dhe i sulmon nervat e trurit.

Simptomat e sëmundjes shfaqen 18 deri në 36 orë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar

Sa më e madhe të jetë sasia e ushqimit të kontaminuar që futet në trup, aq më shpejt shfaqen simptomat. Tek pacientët, fillimisht shfaqet vizioni i dyfishtë, kapakë të fryrë, paaftësia për tu përqëndruar në objekte, gojë e thatë. Tek disa njerëz shfaqen edhe të përzierat, vjellje dhe diarre, si dhe dhimbje në lukth. Ashtu siç bakteret sulmojnë nervat, njerëzit ndiejnë dobësi fillimisht tek duart, ndërsa me kalimin e kohës, simptomat përhapën edhe në pjesët tjera të trupit. Mund të shfaqet vështirësi në gëlltitje dhe të folurit. Nëse preket sistemi i frymëmarrjes, ekziston rreziku i madh i ndalimit të frymëmarrjes dhe pastaj i vdekjes. Të gjitha simptomat e përmendura kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor.

Rreth 5-10% e personave që preken nga kjo sëmundje vdesin, ndërsa vdekja ndodh në 2 deri në 4 ditët e para nëse sëmundja nuk trajtohet.

Për mbrojtjen nga botulizmi është i rëndësishëm përpunimi i mirë termik i ushqimit. Sporet e baktereve shkatërrohen në një temperaturë prej 120 gradë Celsius, ndërsa toksinat për të paktën 30 minuta në 90 gradë. Gjatë ditëve të nxehta, shanset e prishjes së ushqimit janë më të mëdha, prandaj duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë ruajtjes së ushqimeve të hapura. Pamja dhe era e produktit, mund të tregojnë se ai është prishur. Tek kozervat është e dukshme pasiqë kapaku i tyre fryhet.

Për shkak të seriozitetit të sëmundjes, botulizmi kërkon trajtim specifik që konsiston në përdorimin e serumeve polivalente antibakteriale, të cilat duhet të merren sa më shpejt që të jetë e mundur. Shtrimi në spital është i detyrueshëm. Antibiotikët nuk kanë efekt mbi toksinat, por përdoren për të eliminuar format vegjetative të baktereve të cilat gjenden në sistemin digjestiv të të sëmurëve. Pacientit i jepet infuzion për rehidratimin e organizmit, klizmë dhe kateterizim në fshikëz sipas nevojës, si dhe barna të tjera për mbrojtjen e funksioneve vitale. Nëse ekziston problem me frymëmarrjen, pacienti vendoset në paisjen respiratore. Pas trajtimit të sëmundjes, mund të ngelin pasoja të cilat shpesh janë në formë të dobësisë së muskujve të gjymtyrëve, prandaj është e nevojshme të vazhdohet me trajtimin rehabilitues.