Java Botërore e Ushqyerjes me Gji – Intervistë me Dr. Mlladenoviq: Ushqyerja me gji tek nënat e punësuar

Ushqyerja me gji është mënyra më e sigurt e të ushqyerit, pasiqë eliminon rrezikun e infeksioneve ushqimore, gjë që janë të zakonshme për foshnjat që ushqehen me formulë të adoptuar qumështi.

Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk

Çdo vit prej datë 1 deri më 7 gusht shënohet Java Botërore e Ushqyerjes me Gji. Java që i dedikohet ushqyerjes me gji shënohet që nga viti 1992, ndërsa sot në të marrin pjesë më shumë se 1.5 milionë njerëz nga mbi 170 shtete. Sllogani i këtij viti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it është “Ushqyerja me gji – bazë e jetës”, i cili synon të informojë se, bota është e mbushur me pabarazi, kriza dhe varfëri dhe se ushqyerja me gji është themeli i shëndetit të përjetshëm për foshnjat dhe nënat.

Për ushqyerjen me gji si mënyrën më efektive për të përmirësuar jetën e fëmijëve në mbarë botën, e cila ofron përfitime shëndetësore afatgjate si për foshnjat ashtu edhe për nënat, biseduam me kreun e Institutit të Kujdesit Shëndetësor për nënat dhe fëmijët – Qendra Shëndetësore Shkup, Dr. Brankica Mlladenoviq.

Përfitimet e ushqyerjes me gji janë të shumëfishta dhe vendosin themelet e shëndetit të mirë jo vetëm gjatë fëmijërisë, por edhe në moshën e rritur të çdo individi, thekson Dr. Mlladenoviq

Çdo vit, java e parë e muajit gusht është shenjë e ushqyerjes me gji. Sllogani i organizatorëve të këtij viti është “Ushqyerja me gji – bazë e jetës”, që ka për qëllim mbrojtjen, promovimin dhe mbështetjen e ushqyerjes me gji. Çfarë ndërmerr Maqedonia në këtë drejtim?

Dr. Mlladenoviq: Për vite me radhë, Republika e Maqedonisë i ka implementuar të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat kanë për qëllim nxitjen dhe mbrojtjen e ushqyerjes me gji, siç janë: implentimi i iniciativës “Spitalet miqtë e foshnjave”, është formuar Komiteti kombëtar për ushqyerjen me gji, legjislacioni ekzistues është përshtatur në drejtim të implementimit të Kodit ndërkombëtar për ndalimin e reklamimit të zëvendësuesve të qumështit të gjirit, si dhe në aspektin e kohëzgjatjes së pushimit të lehonisë si dhe të drejta e nënave gjidhënëse të punësuar. Vazhdimisht çdo vit, përmes Programit për mbrojtjen aktive të shëndetit të nënave dhe fëmijëve, në Ministrisë e Shëndetësisë janë ndërmarrë aktivitete që synojnë nxitjen dhe mbrojtjen e ushqyerjes me gji, siç janë trajnimi i punonjësve shëndetësorë, shënimi i Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, përgatitja e materialeve informative për nënat, etj. Shërbimi i patronazhit dhe qendrat e këshillimit për parandalim në Qendrat shëndetësore, ku ekipet e mjekëve dhe infermierëve janë vazhdimisht në dispozicion, për të ofruar ndihmë profesionale për të gjitha problemet e mundshme të ushqyerjes me gji, të cilat janë mjaft të rëndësishme pasiqë gjatë muajve të parë të ushqyerjes me gji shfaqen problemet më të zakonshme.

Cilat janë aktivitetet tona këtë vit në mbështetjen dhe promovimin e ushqyerjes me gji? Dhe sipas numrave ku jemi ne si vend, përqindja e ushqyerjes me gji?

Dr. Mlladenoviq: Këtë vit janë parashikuar disa aktivitete për të shënuar Javën e ushqyerjes me gji: promovimi dhe shpërndarja e Broshurës për gratë shtatzëna në gjuhën maqedonase dhe shqipe, në të cilën një pjesë i është kushtuar ushqyerjes me gji, në mënyrë që informacioni të mund të arrijë tek nënat që në shtatzaninë e hershme dhe në këtë mënyrë në kohën e duhur të filloj mirëmbajtja e gjinjve”; në të ardhmen broshurat do të shpërndahen në mënyrë të vazhdueshme deri tek gratë shtatzëna nëpërmjet infermiereve patronazhe, ndërmjetësit shëndetësore Romë, gjinekologët amë dhe pjesërisht përmes reparteve të lindjes ku gratë shtatzëna vizitohen gjatë skriningut. E rëndësishme është që kujdesi për ushqyerjen me gji të filloj gjatë shtatzanisë, më saktë, nëna të marrë informacionet e nevojshëm për rëndësinë e ushqyerjes me gji, si krijohet ajo dhe në çfarë problemesh mund të haset gjatë gjidhënies, sidomos në ditët e para pas lindjes. Ato ditë për nënën janë stresuese, ndërsa qëndrimi në maternitet është gjithnjë e më i shkurtër, për kët shkak nëna nuk gjendet edhe aq mirë me situatën e re.  Nëse nëna është e informuar mirë dhe merr mbështetjen e nevojshme nga stafi i trajnuar, atëherë shanset për ushqyerje me gji janë shumë më të mëdha. Janë planifikuar edhe disa aktivitete në Klinikën Pediatrike në Shkup, edhe atë: më 3 gusht do të organizohet seminar edukativ për nënat nga reparti i neonatologjisë dhe foshnjës, për përfitimet dhe përparësitë e ushqyerjes me gji; më datë 6 gusht në amfiteatrin e klinikës do të mbahet seminar për infermierët e sapo punësuar për ushqyerjen me gji; do të promovohen edhe tre protokolle për ushqyerjen me gji për punonjësit e shëndetësisë, edhe atë: për ushqyerjen me gji të fëmijëve të lindur parakohe (prematur), ushqyerjen me gji të fëmijëve me hipotoni dhe ushqyerjen me gji të fëmijëve me buzë të çarë dhe me qiellzë të butë. Sipas të dhënave të fundit të fituara nëpërmjet hulumtimit të një mostre përfaqësuese, realizuar nga UNICEF – Multi Indicator Cluster Survey (në vitin 2011), 90% e nënave ushqejnë me gji në muajin e parë, 41% e nënave kryesisht ushqejnë me gji, që nënkupton se përdorin edhe lëngje të tjera (ujë, çaj, lëng). Ushqyerja me gji në gjashtë muajt e parë (vetëm qumësht gjiri) është e pranishme tek 23% e nënave, ndërsa kohëzgjatja mesatare e ushqyerjes me gji është 12 muaj. Në rajonin e BE-së vlera e ushqyerjes me gji në gjashtë muajt e parë varion nga 13 deri në 25%. Në mbarë botën, 38% e nënave ushqejnë me gji deri në muajin e gjashtë. Këtë vit do të realizohet një hulumtim i tillë i ri, kështu që deri në fund të vitit do të kemi të dhëna të reja për gjendjen e ushqyerjes me gji.

Pse ushqyerja me gji është zgjedhja më e shëndetshme për të porsalindurin dhe nënën, në përgjithësi për familjen?

Dr. Mlladenoviq: Përfitimet e ushqyerjes me gji janë të shumëfishta dhe vendosin themelet e shëndetit të mirë jo vetëm gjatë fëmijërisë, por edhe në moshën e rritur të çdo personi. Fillimisht, kjo është metoda më e mirë për të ushqyer foshnjat, pasiqë qumështi i gjirit përmban çdo gjë që i nevojitet foshnjës në gjashtë muajt e parë, ka një raport ideal të proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve, tretet lehtë, përmirëson imunitetin e foshnjës, zvogëlon rrezikun e shfaqjes së infeksioneve dhe alergjive, ul shkallën e vdekshmërisë së foshnjave me 10%, foshnjës i ndihmon që të shërohet më lehtë nga sëmundje të caktuara, zvogëlon rrezikun e mbipeshes dhe obezitetit. Ushqyerja me gji gjithashtu është mënyra më e sigurt e të ushqyerit, pasiqë eliminon rrezikun e infeksioneve ushqimore, gjë që është e zakonshme tek foshnjat që ushqehen me formulë të adoptuar qumështi. Ushqyerja me gji rrit gjasat e shëndetit të mirë edhe në moshën e rritur, duke zvogëluar kështu rrezikun e mbipeshës dhe të obezitetit dhe rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kronike jo-infektive (tensioni i lartë i gjakut, diabeti i tipit 2, astma etj). Ajo që ndoshta nuk është promovuar sa duhet është rëndësia e ushqyerjes me gji në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë, në rradhë të parë për shkak të lidhjes emocionale midis nënës dhe fëmijës (bonding). Prekja, era dhe zëri i nënës derisa ushqehet me gji është stimulimi më i mirë për zhvillimin socio-emocional dhe kognitiv; fëmijët që ushqehen me gji kanë kompetenca më të mira socio-emocionale dhe IQ më të lartë, nga çka arrijnë suksese më të mira në shkollë, përballen më lehtë me situata stresuese të jetës dhe kanë shëndet më të mirë mendor. Nënave u ndihmon që të rimëkëmben më shpejt pas lindjes së fëmijës, zvogëlon gjasat e hemoragjisë pas lindjes, zvogëlon stresin dhe jep më shumë kohë për të pushuar, zvogëlon rrezikun e osteoporozës, kancerit të gjirit dhe kancerit ovarian, dhe në të njëjtën kohë kursen buxhetin e familjes. Gjithnjë e më shumë theksohet perspektiva ekologjike e ushqyerjes me gji, e cila është fakt se nuk prodhon mbeturina, kursen energjinë dhe ujin (për prodhimin e një kilogram qumështi artificial nevojiten 4 000 litra ujë), gjë që bën të zvogëlohet emetimi i CO 2 në atmosferë. Në botën e sotme, me plot pabarazi ekonomike dhe sociale dhe krizat (natyrale, refugjatësh, ekonomike, etj), qumështi i gjirit u jep mundësi të barabartë për fillimin e  mirë të jetës së gjithë fëmijëve, duke kontribuar kështu në zvogëlimin e varfërisë dhe pabarazive, për shkak të së cilës konsiderohet vendimtar në arritjen e pothuajse të gjitha 17 qëllimeve në zhvillimin e qëndrueshëm të OKB-së. Në përputhje me rekomandimet e OBSH, ushqyerja me gji duhet të jetë ekskluzive në gjashtë muajt e parë të jetës, të zgjas deri në moshën dy vjeçare dhe më gjatë, paralelisht me futjen e llojeve të tjera të ushqimit pas muajit të gjashtë.

Në nivel global, përqindja e nënave gjidhënëse zvogëlohet. Shumë kush beson se kjo gjë kryesisht vjen për shkak të pamundësisë për të ushqyer me gji fëmijën në vende publike. Në botë, rreth 50 shtete e kanë lejuar këtë lloj të ushqyerjes me gji. Por çka ndodh tek ne?

Dr. Mlladenoviq: Nënat akoma përballen me barriera të ndryshme për të krijuar dhe mbajtur ushqyerjen me gji. Për të zvogëluar këto barriera nevojitet mbështetje e gjerë e të gjitha segmenteve shoqërore: sistemi shëndetësor, familja, komuniteti më i gjerë, punëdhënësit, legjislacioni mbështetës etj. Ushqyerja me gji në vende publike është e rëndësishme, por sigurisht jo aq shumë sa të ndikoj në normën e ushqyerjes me gji.  Shkaku më i zakonshëm i ndërprerjes së gjidhënies është kthimi në punë pas pushimit të lehonisë. Nënat duhet të ndihmohen që të mbajnë ushqyerjen me gji, madje edhe atëherë kur të kthehen në punë. Që të arrihet kjo, përveç shfrytëzimit të pauzës për gjidhënie, nënave të punësuara u nevojiten kushte për mjeljen dhe ruajtjen e qumështit të mjelur në vendin e punës. Kjo është diçka që akoma nuk është përhapur mjaftueshëm në vendin tonë, gjë për të cilën duhet të përqendrohemi në të ardhmen. Nëse nëna nuk ka kushte për mjelje dhe nuk është e pranishme në shtëpi për nëntë orë, atëherë gjasat janë shumë të mëdha që sasia e qumështit të reduktohet dhe të humbet. Sa i përket ushqyerjes me gji në vende publike, kjo gjë në vendin tonë nuk është e ndaluar me asnjë ligj, që nënkupton se nënat mund të ushqejnë me gji, por sigurisht që duhet të punohet në aspektin e zvogëlimit të tabuve ekzistuese, se ushqyerja me gji në vende publike është “e pahijshme”.

Do ju bëj edhe disa pyetje të tjera të cilat janë nga pikëpamja praktike e rëndësishme për nënën e re. A duhet nëna t’i jap gji foshnjës atëherë kur kërkon apo sipas orarit?

Dr. Mlladenoviq: Fëmija duhet të ushqehet me gji sa më shpesh që të jetë e mundur, me kërkesën e foshnjës, asesi në interval të rrepta kohore prej dy apo tre orësh. Foshnjat kërkojnë të thithin edhe atëherë kur nuk janë të uritur, sepse ndihen rehat dhe të sigurt në krahët e nënës. Disa nëna mendojnë se foshnja e tyre është vazhdimisht e uritur, sidomos në tre deri katër javët e para, por në fakt ata kërkojnë vëmendjen dhe praninë e nënës. Shumë shpejt do të fillojë të interesohet për gjërat tjera që e rrethojnë, por deri atëherë duhet të kënaqeni në afërsinë e tyre.

Si mund të vlerësojë nëna nëse ka mjaftueshëm qumësht dhe nëse fëmija po zhvillohet mjaftueshëm?

Dr. Mlladenoviq: Nëse gjidhënia bëhet siç duhet, atëherë ajo nuk duhet të jetë e dhimbshme. Shenjat që tregojnë se ushqyerja me gji është e suksesshme: goja e foshnjës është plotësisht e hapur, mjekra e foshnjës prek gjirin, buza e poshtme është e lakuar nga jashtë, foshnja thith, pushon dhe përsëri thith. Foshnja që merr mjaftueshëm qumësht, ka gjashtë deri në tetë pelena të lagështa në ditë, zakonisht dy deri pesë jashtëqitje në 24 orë, shton në peshë më shumë se 500 gram në muaj, zakonisht e shëndetshme dhe e kënaqur, ka lëkurë elastike me ngjyrë të mirë, rritet në gjatësi, është aktive, në qejf dhe ton të mirë të muskujve.

Si të dallojmë shenjat e hershme të urisë tek fëmija i porsalindur?

Dr. Mlladenoviq: Shenjat kryesore se fëmija nuk merr mjaftueshëm qumësht janë: në qoftë se fëmija nuk përparon mjaftueshëm (më pak se 500 gram në muaj), nëse sekreton sasi të vogla të urinës së koncentruar (më pak se gjashtë herë në ditë). Shenjat e mundshme se fëmija nuk merr mjaftueshëm qumësht janë: pas ushqyerjes me gji fëmija nuk është i kënaqur, qan shpesh, kërkon që të thith shpesh, thith shumë gjatë, refuzon të thith, jashtëqitje e thatë ose e gjelbër, ka jashtëqitje të rralla dhe të pakta, kur gjinjtë mjelen, rrjedh shumë pak qumësht ose aspak, qumështi nuk ka ardhur pas lindjes së fëmijës. Arsyet e mëposhtme mund të kontribuojnë në prodhimin e pakët të qumështit: dhënia (herë pas here) e shishes me qumësht artificial, me lëng ose me ujë që në javët e para pas lindjes, pozicioni jo i rregullt i fëmijës në gji, hutimi i foshnjës nga biberonët dhe shishet, përdorimi i thithave artificiale nganjëherë mund të zvogëlojë stimulimin e trurit për të prodhuar qumësht, ushqyerje me gji në intervale të rrepta kohore, ose foshnjë e përgjumur.

A duhet të zgjohet foshnja për shkak të ushqyerjes me gji?

Dr. Mlladenoviq: Disa foshnja flenë më gjatë dhe thithin vetëm në periudha të shkurtra të ditës. Nëse tek fëmijët e tillë vërehet se nuk shton në peshë ose numëri i vogël i pelenave të lagështa gjatë 24 orëve, është e nevojshme që foshnja të zgjohet. Zgjimi bëhet me anë të masazheve të lehta dhe me prekje të buta, të paktën çdo dy orë. Nëna duhet të vendosë se sa shpesh do ta ushqej me gji, deri atëherë kur foshnja të vendos vetë ritmin e saj.

Ushqyerja me gji që zgjat vetëm disa minuta, a është e mjaftueshme që fëmija merr sasinë e nevojshme të qumështit?

Dr. Mlladenoviq: Megjithëse çdo foshnje ka preferencat e veta në gjatësinë e ushqyerjes me gji (disa thithin shpejt, disa kanë nevojë për më shumë kohë), megjithatë thithjet shumë të shkurtra mund të jenë rrezik se nuk është thithur “qumështi i fundit” i cili është i pasur me yndyrna dhe kalori. Pakësimi i ushqyerjes me gji mund të jetë arsyeja për zvogëlimin e sasisë së qumështit dhe kjo të mos jetë e mjaftueshme kur foshnja të ketë nevojë për më shumë.