Lakra kineze – më e shëndetshme kur konsumohet e freskët

Përveç shijes së mrekullueshme, lakra kineze është e njohur edhe për ndikimin e saj mbi shëndetin e njeriut.

Lakra kineze (lat. chinensis ose Brassica pekinensis) është perime me gjethe jeshile, e pasur me shumë nutrientë të rëndësishëm, si dhe vitamina, minerale, karotenoide… Tradita e kësaj perimeje është të paktën 6 000 vjeçare. Kinezët janë të parët që përdorën këtë perime për të përgatitur ushqime me shije delikate. Ata i njihnin edhe vetitë e saj shëruese. Në shekullin e 14-të lakra kineze u përhap në të gjith Kinën, ndërsa në fillim të shekullit 20-të në Kore dhe Japoni. Sot lakra kineze njihet kudo në botë dhe është e disponueshme në tregje dhe supermarkete. Ajo i përket familjes cruciferae, ndërsa anëtarë tjerë të kësaj familje janë brokoli, lakra e thjeshtë, lulelakra dhe lakra e Brukselit.

Gjethet e lakrës kineze kanë shije të mrekullueshme dhe janë ideale për përgatitjen e sallatave dhe supave.

Përveç shijes së mrekullueshme, lakra kineze është e njohur edhe për ndikimin e saj mbi shëndetin e njeriut. Është burim i pasur i shumë vitaminave të rëndësishme, si A, C dhe K. Vitamina A është thelbësore për funksionimin e duhur të sistemit imunitar, shikimin, rritjen e eshtrave dhe dhëmbëve, ndërsa vitamina K luan rol të rëndësishëm në procesin e koagulimit të gjakut. Përveç kësaj, vitamina K përmirëson absorbimin e kalciumit dhe e ruan dendësinë e kockave. Vitamina C është antioksidant i njohur që mbron kundër efekteve të dëmshme të radikalëve të lira.

Lakra kineze është e pasur me vitaminë D dhe përmban sasi të rëndësishme të acidit folik dhe vitaminës B6. Përveç vitaminave, kjo perime gjithashtu është e pasur edhe me karotenoide si beta-karoteni. Karotenoidet njihen për vetitë antioksiduese.

Studimet e kryera konfirmojnë se konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten e zvogëlojnë rrezikun e shfaqjes së shumë llojeve të kancerit. Përveç kësaj, karotenoidet kanë efekt të dobishëm edhe tek sëmundjet e syve, si glaukoma dhe degjenerimi i syve. Kjo lloj lakre përmban sasi të mëdha mineralesh të rëndësishme si kalciumi dhe kaliumi. Nuk përmban yndyrë dhe ka përmbajtje të vogël të natriumit.