Lodhja kronike – ndizni alarmin

Lodhja pothuajse na prek të gjithëve. Ka ditë kur edhe larja e dhëmbëve na duket lodhje, dhe e kalojmë ditën me përtaci dhe të shtrirë, ndërsa në ditën në vijim ju kthehet energjia. Por nëse lodhja zgjat më shumë pa ndonjë arsye të qartë, atëherë ndoshta bëhet fjalë për simptomat e ndonjë sëmundje tjetër.

Zgjoheni të lodhur, jeni të përgjumur brenda ditës, të rraskapitur dhe keni vështirësi me përqendrimin… Ky nuk është një problem aq i tmerrshëm nëse zgjat pak. Kjo zgjidhet me ushqim të balancuar dhe aktivitet fizik. Nëse lodhja zgjat për disa javë, sigurohuni që të aktivizoni alarmin dhe të kontrolloni gjendjet e mëposhtme.

Çka nëse është anemi?

Në rast se ndjeheni të lodhur për një kohë të gjatë, lodheni shpejtë dhe keni marramendje, kontrolloni pasqyrën e gjakut, ndoshta vuani nga anemia. Ky çrregullim vjen si pasojë e mungesës së hekurit në gjak.

KËSHILLË: Rritni marrjen e ushqimeve të pasura me hekur – mish, peshk, vezë, bishtajore dhe perime me gjethe. Dhe, natyrisht merrni hekur në formën e shtojcave.

Çka nëse është diabet?

Lodhja kronike, kujtesa e dobët dhe përqendrimi, etja, rritja e oreksit dhe humbja e peshës janë shenja tipike të diabetit të tipit 2. Nëse vëreni ndonjë nga këto simptoma, sigurohuni që bëni analizat e gjakut dhe urinës, sepse mbajtja e sheqerit në gjak reflekton punën e zemrës , veshkave, syve dhe organeve tjera vitale.

KËSHILLË: Diabeti mund të vihet në kontroll edhe me ushqimin e duhur, sportin si dhe rregullimin e peshës trupore, si dhe me futjen e rregullatorëve natyral të sheqerit në gjak.

Çka nëse është hipotireoza?

Nëse gjëndra tiroide nuk funksionon siç duhet, shfaqet lodhja si një nga simptomat më tipike. Nëse keni ndonjë dyshim për këtë çrregullim, vizitohuni te mjeku. Ju gjithashtu do të duhet të bëni analizat e gjakut, në mënyrë që të përcaktoni vlerat e hormonit të gjëndrës, ndoshta do të keni nevojë edhe për echo ekzaminimin e gjëndrës.

KËSHILLË: Merrni jod, vitaminë A dhe E, magnez, zink dhe selen. Ato gjenden edhe në disa artikuj ushqimor si specat jeshile dhe të kuq, kripën e jodizura, por edhe si shtojca në formën e tabletave.

Çka nëse janë veshkat?

Mungesa e energjisë gjithashtu mund të shoqërohet me funksionimin e dobët të veshkave, e cila nuk jep asnjë simptomë. Vetëm në një fazë të mëvonshme të sëmundjes shfaqet lodhja, humbja e oreksit, të përzierat, çrregullimi i gjumit dhe vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Nëse dyshoni se kjo mund të jetë shkaku i lodhjes suaj, bëni një analizë të gjakut dhe urinës.

KËSHILLË: Pini gjashtë deri në tetë gotat lëngje brenda ditës.