Osteoporoza: Ushqimi mesdhetar mund të ngadalësojë humbjen e masës kockore

Është zbuluar se personat e moshuar me osteoporozë, të cilët praktikuan ushqimin mesdhetar përgjatë 12 muajve, kishin një shkallë shumë më të ulët të humbjes së masës kockore, se sa moshatarët tjerë të cilët nuk e ndoqën këtë lloj diete.

Studim i kohëve të fundit i shkencëtarëve italianë të Universitetit të Bolonjës, nxori në pah rrezikun e ulët të osteoporozës, tek njerëzit që e preferojnë ushqimin mesdhetar.

U zbulua se personat e moshuar me osteoporozë, të cilët praktikuan ushqimin mesdhetar përgjatë 12 muajve, kishin një shkallë shumë më të ulët të humbjes së masës kockore, se sa moshatarët e tjerë të cilët nuk e ndoqën këtë lloj diete.

Ushqimi mesdhetar karakterizohet me përqindje të lartë të frutave, perimeve, frutave të thatë, peshkut dhe vajit të ullirit.

Ushqimi mesdhetar kishte pak ose thuajse aspak efekt tek pjesëmarrësit e hulumtimit, dendësia e kockave te të cilët ishte normale, mirëpo e zvogëloi humbjen e dendësisë së kockave tek individët me osteoporozë.

Gjetjet e reja bazohen në të dhënat mbi masën kockore, të cilat janë mbledhur nga 1 150 të anketuar gjatë një periudhe një vjeçare. Pjesëmarrësit në studim ishin midis moshës 65 dhe 79 vjeçare, ndërsa rezultatet u botuan në “American Journal of Clinical Nutrition”.

Rritja më e theksuar e masës kockore është vërejtur në pjesën e sipërme të kockës së femurit (kofshës), kështu që tek këta individë është zvogëluar rreziku i frakturës së këllkut, e cila është e zakonshme tek njerëzit me osteoporozë, shkruan “medicalnewstoday”.

Studimet e mëparshme e lidhin ushqimin mesdhetar me një sërë efektesh pozitive mbi shëndetin, përfshirë edhe uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, demencës dhe kancerit.