Përse tërshëra bën pjesë tek super-ushqimet?

Kur është fjala për efektet pozitive ndaj shëndetit, nëpërmjet shumë hulumtimeve është treguar se tërshëra ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak, duke reduktuar kështu rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Tërshëra shpeshherë rekomandohet si përbërës kryesor i një mëngjesi të shëndetshëm i cili krijon ndjenjen e ngopjes, si dhe tek ëmbëlsirat e shëndetshme të cilat mund t’i hani herë pas here pa ndonjë shqetësim. Pse për tërshërën jo rrallë herë flitet se është një super-ushqim?

Tërshëra është burim i shkëlqyeshëm i fibrave (sidomos beta-glukan), si dhe vitaminave (sidomos të grupit B), mineraleve (mangan, hekur, zink, selen dhe fosfor) dhe antioksidantëve.

Kur është fjala për efektet pozitive ndaj shëndetit, nëpërmjet shumë hulumtimeve është treguar se tërshëra ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak, duke reduktuar kështu rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Për këtë efekt mbi kolesterolin meritat u takojnë beta-glukaneve, fibra të tretshme në ujë që ngadalësojnë absorbimin e yndyrës dhe kolesterolit nga ushqimet.

Fibrat e tretshme në ujë të cilat i përmban tërshëra kanë një tendencë që të mbajnë më gjatë të ngopur, duke pasur parasysh faktin se ato e ngadalësojnë zbrazjen e lukthit dhe nxisin sekretimin e hormonit të ngopjes. Në këtë mënyrë, tërshëra ndihmon në kontrollin e oreksit dhe rregullimin e peshës trupore.