Simptomat dhe diagnostifikimi i leukemisë

Leukemia është kanceri i palcës së eshtrave, pjesë e eshtrave në të cilën krijohen qelizat e gjakut.

Simptomat e leukemisë dhe çrregullimet e lidhura të palcës së kockave janë tipike edhe për shumë sëmundje të tjera. Disa lloje të leukemisë nuk shkaktojnë ndonjë simptomë derisa sëmundja të jetë në një fazë të avancuar, por nganjëherë as edhe atëherë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se edhe diagnostifikimi shumë i hershëm do ta parandalojë përhapjen e sëmundjes, meqë leukemia që nga fillimi është shumë e përhapur në palcën e eshtrave.

Diagnostifikimi i leukemisë caktohet me ndihmën e dy testeve – analizat e gjakut dhe punksionin e palcës së eshtrave. Kur merret mostra e gjakut dhe analizohet nën mikroskop, numërohen ruazat e bardha të gjakut dhe pllakat e gjakut në mostër. Dyshimet lindin nëse numri i qelizave të gjakut është përtej vlerave normale. Është e mundshme që të vërehet: numri i ulët i ruazave të kuqe të gjakut, numri i ulët i ruazave të bardha të pjekura të gjakut ose më shpesh numri i lartë i ruazave të bardha të gjakut, shumica e të cilave janë të papjekur ose të lëshuara parakohe. Pastaj bëhet punksioni i palcës së eshtrave.

Gjatë biopsisë së palcës së eshtrave, mjeku me ndihmën e gjilpërës merr mostër nga palca e eshtrave direkt nga zgavra e eshtrave, kryesisht nga kockat e kraharorit. Mostra analizohet duke përdorur një gamë të gjerë testesh, analiza mikroskopike, kromozomale dhe gjeneve, deri në studime të veçanta të kulturës së palcës së eshtrave, në bazë të së cilës caktohet diagnoza. Nganjëherë, për shkak të caktimit të saktë dhe të sigurt të diagnozës, është e nevojshme të bëhet kjo lloj biopsie.

Biopsia paraqet marrjen e mostrës nga vet eshtra për analiza mikroskopike.

Dëmtimi i indeve të trupit

Përkundër mendimit të përgjithshëm, qelizat e leukemisë shpesh nuk zhvillohen më shpejt se qelizat normale. Në fakt, eksperimentet në laboratorët hulumtues tregojnë se disa qeliza të leukemisë në të vërtetë zhvillohen më ngadalë se qelizat normale. Qelizat papjekura të leukemisë grumbullohen në enët e gjakut, nuk vdesin si qelizat normale dhe numri i tyre është gjithnjë e më i madh. Numri shumë i madh i qelizave të gjakut (eritrociteve dhe trombociteve) mund të çojë në bllokimin e enëve të gjakut dhe dëmtimin e indeve të trupit. Gjaku bëhet shumë i dendur dhe ngjitës, gjë që e vështirëson qarkullimin normal. Ky problem është një nga pasojat e leukemisë, e cila me anë të trajtimit përpiqet të kapërcehet.