SIPAS SHKENCËTARËVE BRITANIK, NUK KA RËNDËSI NËSE KENI KALUAR KOVIDIN E LEHTË APO TË RËNDË: Sëmundja mund të lërë shenjë në tru, si zvogëlimi i masës gri

Edhe në rastin e formës së lehtë të sëmundjes tek pjesëmarrësit në studim u konstatua "përkeqësim i funksioneve ekzekutive" të trurit, përgjegjës për fokusimin, planifikimin, vendimmarrjen, organizimin dhe zgjidhjen e problemeve, ndërsa mesatarisht madhësia e trurit të të anketuarve u zvogëlua ndërmjet 0.2 dhe 2 përqind.

COVID-19 mund të shkaktojë ulje të masës së trurit, të ndikojë në reduktimin e lëndës gri në zonat që kontrollojnë emocionet dhe kujtesën, si dhe të dëmtojë pjesët që kontrollojnë shqisën e nuhatjes, tregon një studim i shkencëtarëve nga Universiteti i Oksfordit.

Shkencëtarët kanë raportuar se ndryshime të tilla janë vërejtur edhe te pacientët që nuk janë shtruar në spital për shkak të COVID-19.

Do të nevojiten kërkime shtesë për të përcaktuar nëse këto efekte mund të eliminohen të paktën pjesërisht ose të bëhen të përhershme.

“Ne kemi prova të forta të shfaqjes së anomalive të trurit pasi e kemi kaluar COVID-19,” shkruajnë shkencëtarët britanikë në një studim të botuar të hënën në revistën Nature.

Edhe në rastin e formës së lehtë të sëmundjes tek pjesëmarrësit në studim u konstatua “përkeqësim i funksioneve ekzekutive” të trurit, përgjegjës për fokusimin, planifikimin, vendimmarrjen, organizimin dhe zgjidhjen e problemeve, ndërsa mesatarisht madhësia e trurit të të anketuarve u zvogëlua ndërmjet 0.2 dhe 2 përqind.

Studimi i rishikuar nga kolegët shqyrtoi ndryshimet e trurit tek 785 pacientë të moshës 51 deri në 81 vjeç.

Skanimet e trurit të tyre janë kryer dy herë dhe nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 400 prej tyre janë infektuar me koronavirus mes dy skanimeve. Skanimi i dytë është kryer mesatarisht 141 ditë pas të parit.

Studimi u krye në një kohë kur varianti alfa i koronavirusit ishte mbizotërues në Britaninë e Madhe dhe nuk ka gjasa që ai të përfshijë pacientë të infektuar me shtamin delta, thonë shkencëtarët britanikë.

Hulumtimi tregoi gjithashtu se disa pacientë pas COVID-19 vuanin nga ‘mjegulla e trurit’ ose ulja e vëmendjes dhe përqendrimit, si dhe ulja e shpejtësisë së përpunimit të informacionit dhe memorie më e dobët.

Shkencëtarët nuk thanë nëse vaksinimi kundër COVID-19 ndikoi në gjendje, por Agjencia britanike e shëndetësisë muajin e kaluar theksoi se pas studimit të 15 të mëparshmeve zbuloi se njerëzit e vaksinuar kishin më pak gjasa të zhvillonin simptoma të COVID-19 afatgjatë në krahasim me individët e pavaksinuar.