A keni dëgjuar për shurupin e kokosit?

Shurupi i kokosit përmban relativisht sasi të vogla të sheqerit natyral (glukozë dhe fruktozë), gjithsej rreth 10 për qind.

Shurupi i kokosit është ëmbëlsues natyral i cili fitohet nga lëngu i ëmbël i mbledhur nga pemët e trasha ose sythat e kokosit në lulëzim. Lëngu i cili fitohet në këtë mënyrë i nënshtrohet avullimit në temperatura të ulëta derisa të fitohet shurupi i dendur, i ëmbël, me indeks të ulët glikemik dhe i pasur me lëndë ushqyese.

Ndryshe nga disa shurupe të tjera që duhet t’u nënshtrohen temperaturave të larta për të përqendruar dendësinë e tyre dhe përmbajtjen e ëmbël, shurupi i kokosit nxehet maksimumi deri në 40 gradë Celsius, gjë që mund të konsiderohet si ëmbëlsues krejtësisht natyral. Shija e këtij shurupi nuk përkon me shijen e kokosit, por na kujton melazën që merret nga përpunimi i kallamit të sheqerit, por më pak i ëmbël.

Shurupi i kokosit përmban sasi relativisht të vogla të sheqerit natyral (glukozë dhe fruktozë), gjithsej rreth 10 për qind. Indeksi i tij glikemik është 35, i cili është dukshëm më i ulët se ai i kallamit të sheqerit (58-65), e sidomos e sheqerit të bardhë të rafinuar. Prandaj konsiderohet si ëmbëlsues ideal për personat të cilët përpiqen që ta mbajnë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak.

Shurupi i kokosit përmban 17 aminoacide, përfshirë të gjitha 9 kryesoret, gjë që ndoshta është i vetmi në mesin e ëmbëlsuesve natyral. Ai përmban vitamina të grupë B, vitaminë C, dhe kalium, magnez, zink dhe hekur. Shurupi i  kokosit është burim i Myo-Inositol, substancë kjo e cila merr pjesë në procese të shumta në organizëm, sidomos kontribuon në funksionimin e duhur të trurit dhe muskujve. Probiotiku inulin i cili gjendet në nektarin e kokosit e ushqen dhe e stimulon rritjen e baktereve të mira në zorrë.