EPIDEMIOLOGËT SHPJEGOJNË: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri? A është fjala për SARS dhe a ka vend për panik?

Koronaviruset tek njerëzit zakonisht çojnë në sëmundje të traktit të sipërm respirator (ftohje të zakonshme) dhe / ose simptoma gastrointestinale. Pamje të rënda klinike të sëmundjes janë regjistruar kryesisht tek foshnjat, të moshuarit dhe personat me sistem të dobët imunitar.

Përgatiti:

Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk


Një lloj i ri i koronavirusit po përhapet në Kinë, ku është regjistruar viktima e parë, ndërsa shtatë persona të tjerë janë në gjendje kritike.

Për çfarë lloj virusi po bëhet fjalë dhe a ka vend për frikë se do të përhapet edhe tek ne?

Virusi i ri po rrit shqetësimin në të gjithë botën për shkak të udhëtimeve që priten për pushimet e Vitit të Ri Kinez në fund të janarit, ndërsa me autoritetet kineze presin që 440 milion njerëz të udhëtojnë nëpërmjet transportit hekurudhor dhe 79 milion të tjerë me aeroplan.

Sipas epidemiologut Dr. Predrag Kon, korona është virus respirator, ndërsa disa prej formave të tij janë SARS si dhe virusi MERS, por kjo formë e cila është aktuale në Kinë akoma nuk ka emër dhe potenciali i tij, e as fuqia e transmetimit nuk dihet.

Dr. Predrag Kon

“Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar një paralajmërim për këdo që udhëton në Kinë, sidomos në qytetin e Wuhan. Masat mbrojtëse rekomandohen në infeksionet respiratore”, thonë epidemiologët. Këto masa, shton ai, përfshijnë shmangien e kontaktit me të sëmurët, si dhe “distancë e denjë” prej të paktën një metër e gjysmë, si dhe larjen e shpeshtë të duarve.

 

ILAÇ SPECIFIK NUK KA, AS EDHE VAKSINË

“Kur të sëmuren, është gjë tjetër. Potenciali epidemik i këtij virusi është ende i panjohur. Korona viruset shekullin 21 janë treguar se shkaktojnë infeksione të rënda të frymëmarrjes dhe gjendje serioze. Ky virus, i cili aktualisht është i zakonshëm në Kinë, po shkakton pneumoni, por akoma nuk dihet se çka tjetër mund të shkaktojë. Pritet që ekspertët kinezë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë të njoftojnë gjetjet e mëtejshme”, shpjegon epidemiologu Dr. Kon.

“SARS shkakton epidemi, MERS shfaqet herë pas here, por nuk ka aq potencial. Tani ky virus nuk ka emër, është plotësisht i ri, por do ta ketë një. Nuk dua të spekuloj nëse kjo do të jetë ndonjë lloj i virusit MERS. Do të shohim në javët e ardhshme, mirëpo nëse nuk shfaqet në qytete të tjera në Kinë ose në botë, sigurisht që është pozitive”, thekson Dr. Kon.

Koronaviruset tek njerëzit zakonisht çojnë në sëmundje të traktit të sipërm respirator (ftohje të zakonshme) dhe / ose simptoma gastrointestinale.

Sipas zyrtarëve të Institutit të Shëndetit Publik në vend, koronaviruset (CoV) janë familje e madhe e viruseve që shkaktojnë sëmundje që variojnë nga ftohja e zakonshme deri te sëmundjet më të rënda, siç është Sindroma respiratore e Lindjes së Mesme (MERS-CoV) dhe Sindroma e rëndë akute respiratore (SARS-CoV).

“Koronavirus i ri” është një lloj i ri i koronavirusit që nuk është identifikuar më herët tek njerëzit.

Koronaviruset tek njerëzit zakonisht çojnë në sëmundje të traktit të sipërm respirator (ftohje të zakonshme) dhe / ose simptoma gastrointestinale. Pamje të rënda klinike të sëmundjes janë regjistruar kryesisht tek foshnjat, të moshuarit dhe personat me sistem të dobët imunitar.

Koronaviruset gjithashtu mund të shkaktojnë infeksione të traktit të poshtëm respirator dhe inflamacion të mushkërive tek foshnjat e porsalindura, foshnjat që ushqehen me gji dhe të moshuarit, përfshirë edhe sëmundjet e ngjashme me gripin dhe acarime akute të bronkitit kronik.

Ekzistojnë katër nëngrupe kryesore të koronaviruseve

Koronaviruset e zakonshme humane nga të cilat njerëzit infektohen më shpesh janë: Coronavirus 229E, NL63, OC43 dhe HKU1. Ndonjëherë, koronaviruset e kafshëve mund të evoluojnë dhe të kapërcejnë pengesën kafshë-njeri, domethënë, transmetohen tek njerëzit. Tre shembuj të fundit të kësaj janë Coronavirus 2019 (nCoV), SARS-CoV dhe MERS-CoV.

Shenjat e zakonshme të infeksionit përfshijnë simptoma të frymëmarrjes – ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë akute të frymëmarrjes, dështim të veshkave, madje edhe vdekje.

Nuk ekziston asnjë trajtim specifik për sëmundjen e shkaktuar nga koronavirus i ri, i ngjashëm me shumicën e viruseve. Sidoqoftë, shumë nga simptomat mund të trajtohen dhe për këtë arsye trajtimi duhet të bazohet në gjendjen klinike të pacientit. Për më tepër, kujdesi i duhur për të sëmurët mund të jetë shumë efektiv.

Rekomandimet standarde për parandalimin e përhapjes së infeksionit përfshijnë larjen e rregullt të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimit të plotë të mishit dhe vezëve, shmangien e kontaktit të ngushtë me këdo që shfaq simptoma të sëmundjes së frymëmarrjes, siç është kollitja dhe teshtitja.

  • Virusi SARS

Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes ose SARS koronavirusi, i cili në vitin 2003 shkaktoi epidemi ndërkombëtare të sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes është një nga koronaviruset më të studiuara. Epidemia preku 8 422 persona, prej të cilëve 916 ishin me fund fatal.

  • Virusi MERS

MERS-CoV u raportua për herë të parë në vitin 2012 në Arabinë Saudite. Që atëherë, janë zbuluar raste në shumë vende të botës, të gjitha të lidhura në një farë mënyre me Gadishullin Arabik, i cili mbetet më i prekuri nga kjo sëmundjë deri më sot. Sëmundja manifestohet nga simptoma të tilla si ethe, kollë, probleme me frymëmarrjen dhe ethe.