Franca do të filloj ndërtimin e një fshati për të sëmurit me Alzheimer

Fshati në zonën jugperëndimore të Francës, në Dax, do të ketë supermarketin e vet, qendrën mjekësore, floktarin, palestrën, bibliotekën, restorantin dhe fermën, ndërsa banorët do të mund të lëvizin lirshëm

Për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve dhe anëtarëve të familjes së tyre, Franca vendosi të ndërtojë një fshat për të prekurit nga sëmundja e Alzheimerit. Fshati në zonën jugperëndimore të Francës, në Dax, do të ketë supermarketin e vet, qendrën mjekësore, floktarin, palestrën, bibliotekën, restorantin dhe fermën, ndërsa banorët do të mund të lëvizin lirshëm dhe t’ju jepen më pak ilaçe.

Rreth 120 vullnetarë dhe 100 anëtarë të stafit mjekësor do të kujdesen për të sëmurët, të cilët në vend të uniformave do të vishen me rroba civile – me qëllim që banorët e fshatit, domethënë pacientët të ndihen më të rehatshëm dhe të jetojnë më të lumtur.

“Ne shpresojmë që pacientët të jenë më të lirë dhe më pak të shqetësuar, por më të lumtur. Shpresojmë që e njëjta të jetë edhe për stafin mjekësor. Edhe familjet do të jenë më të relaksuara dhe do të ndjehen më pak fajtorë”, deklaroi Francois Diris, president i Shoqatës franceze për personat me sëmundjen Alzheimer,  shkruan “Daily Mail”.

Ndërtimi i fshatit do të kushtojë 29 milion euro, ndërsa shumicën e kësaj shume do ta financojë shteti. Çmimi për person duhet të jetë 66 euro në ditë, i cili është përafërsisht i njëjtë me atë të institucioneve të zakonshme ku pacientët strehohen në Francë. Fshati është projektuar nga firma daneze arkitekturore NORD.