PSIKOLOGËT SHPJEGOJNË: Një shenjë suptile tregon se ndoshta mund të jeni një prind helikopter

Hulumtimet sugjerojnë se fëmijët që rriten me prindër helikopterë janë të papërgatitur për të përballuar stresin.

Termi “prind helikopter” u përmend për herë të parë në vitin 1969 kur Dr. Haim Ginot e përdori atë për të përshkruar prindërit “shumë mbrojtës/rinë” mbi fëmijët e tyre. Gati 50 vjet më vonë, termi ka fituar një vend në gjuhën e zakonshme dhe përdoret për prindërit që përpiqen të menaxhojnë të gjitha aspektet e jetës së fëmijëve të tyre. Është më shumë se një zakon i keq me një emër tërheqës, thonë psikologët.

Siç shpjegojnë ata, prindërit që shikojnë apo mbrojnë vazhdimisht fëmijët e tyre, në mënyrë të pa vetëdijshme i ndalojnë ata të praktikojnë apo kontrollojnë gjendjet emocionale dhe sjelljen. Hulumtimet sugjerojnë se fëmijët që rriten me prindër helikopterë janë të papërgatitur për të përballuar stresin. Ata gjithashtu, pohojnë se ekzistojnë disa shenja suptile të cilat tregojnë, se ndoshta ne mund të jemi prind të këtij lloji, dhe njëra është veçanërisht specifike.

Bëhet fjalë për një nevojë të vazhdueshme për të korrigjuar apo shtypur emocionet negative tek fëmija. Siç theksojnë psikologët, kur një fëmijë ndjen diçka negative, shumë prindër përpiqen ta zgjidhin shpejt problemin dhe e ndihmojnë atë të mos ndjejë emocione negative si mërzitje, frustrim apo zhgënjim.

Edhe pse asnjë prind nuk dëshiron ta shohë fëmijën e tij të mërzitur, fakti është se zhgënjimi, zemërimi dhe trishtimi janë pjesë e jetës dhe të mësuarit për të menaxhuar (rregulluar) emocionet është një aftësi e rëndësishme jetësore. Duke mos i lejuar fëmijët e tyre të ndjejnë dhe merren me këto emocione, prindërit pa dashje po pengojnë zhvillimin e tyre emocional.

Përktheu dhe përshtati:S.N