SI MUND TË DI NËSE KAM MJAFTUESHËM QUMËSHT? Ndiqni këto ndryshime në sjelljen dhe peshën e fëmijës suaj…

Sapo keni lindur dhe doni të ushqeni me gji, por që në fillim duket se nuk do ia dilni sepse nuk keni mjaft qumësht. A është vërtet kështu? Ne ju sjellim shenjat më të zakonshme që tregojnë se mund të keni vërtet problem me sasinë e qumështit...

Një numër i madh i nënave e ndërpresin dhënien e gjirit dhe thonë: “Nuk kam qumësht” ose “Qumështi im ishte i hollë, i keq dhe u ndërpre papritur!”, “Fëmija im është i uritur dhe qan”. Megjithatë, nënat vijnë në përfundim se nuk kanë qumësht të mjaftueshëm në bazë të shenjave që nuk janë tregues të besueshëm të mungesës së qumështit.

Çfarë ju shtyn të mendoni se nuk keni mjaft qumësht?

  • Fëmija qan shpesh
  • Është i shqetësuar dhe nuk fle rregullisht
  • Në gji është i shqetësuar, nuk e kap gjirin si duhet, e lëshon shpejt dhe qan
  • Thith duart shpesh
  • Dikush ju thotë se qumështi juaj nuk është i mirë, se është i hollë si uji ose nuk mjafton
  • Gjinjtë tuaj nuk janë të fryrë
  • Ju vetë mendoni ose të tjerët ju këshillojë që ju duhet të ushqeni me gji sipas një orari të caktuar, jo kur ju kërkon fëmija
  • Ju përpiqeni të shtrydhni gjirin për qumësht, por ju dalin vetëm disa pika
  • Mendoni se fëmija është i madh dhe ka nevojë për më shumë qumësht
  • Fëmija është shumë i vogël dhe ka nevojë për më shumë qumësht për të përparuar
  • Nuk po vëreni që qumështi po ju rrjedh vetë nga gjiri
  • Fëmija dëshiron të thithë gjatë dhe shpesh

POR KËTO JANË SHENJA QË TREGOJNË SE JU KENI ENDE QËMËSHT:

  • Fëmija urinon rregullisht dhe ka jashtëqitje
  • Ju ndërroni të paktën 6 ose më shumë pelena të lagura në ditë
  • Fëmija ka 3 deri në 8 jashtëqitje në ditë (pas muajit të parë të jetës numri i jashtëqitjeve mund të reduktohet)
  • Fëmija është zgjuar, ka ton të mirë muskulor, po shton peshë, po përparon dhe me këtë po ndryshon numri i rrobave të tij.

SA SHTON FËMIJA NËSE KENI QUMËSHT?

Në ditët e para të jetës, fëmija zakonisht humb 7 deri në 10% të peshës së tij të lindjes. Kjo do të thotë se një fëmijë i lindur me një peshë prej 3.5 kg do të humbasë deri në 350 g të peshës së tij. Është krejtësisht normale. Mos u shqetësoni, fëmija duhet ta kompensojë atë humbje brenda 2 deri në 3 javë. Pas rifitimit të peshës së humbur, fëmija fiton mesatarisht 100 deri në 200 g në javë (matja bëhet çdo javë, jo çdo ditë). Fëmija do të dyfishojë peshën e lindjes afërsisht në muajin e 6-të, të jetës. Kjo do të thotë se një fëmijë i lindur me peshë 3.5 kg do të peshojë afërsisht 7 kg në muajin e 6-të të jetës së tij.

Përktheu dhe përshtati:S.N