Tre shenjat treguese që fëmijës suaj i duhet më shumë vëmendje prindërore

Psikologët vënë në dukje disa shenja që tregojnë se fëmija ka nevojë për më shumë vëmendje.

Fëmijëve të cilëve u mungon vëmendja prindërore shpesh e shfaqin atë në mënyra shumë të pazakonta, të cilat as prindërit e tyre nuk mund t’i dallojnë lehtë. Siç raporton “Times of India”, psikologët kanë vënë në dukje disa shenja që tregojnë se fëmija ka nevojë për më shumë vëmendje.

Është shumë i lidhur

Nëse fëmija është jashtëzakonisht i lidhur me prindërit dhe nuk dëshiron të ndahet prej tyre, psikologët paralajmërojnë se kjo është një nga shenjat që ai ka nevojë për më shumë vëmendje. Fëmijët mund ta shfaqin këtë sjellje për disa arsye. Ndonjëherë mund të jetë për shkak se ata marrin shumë vëmendje, dhe ndonjëherë mund të jetë pikërisht për shkak të mungesës së saj. Në çdo rast, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se lidhshmëria shpesh buron nga nevoja e fëmijës për t’u ndjerë i sigurt dhe i mbrojtur.

Ai ka shpërthime të shpeshta

Edhe pse shpërthimet e zemërimit janë mjaft të zakonshme tek fëmijët, ndonjëherë ato mund të tregojnë mungesë vëmendjeje. Një fëmijë të cilit i mungon vëmendja, kryesisht nga prindërit e tij, shpesh përpiqet të bëjë absolutisht gjithçka në fuqinë e tij për ta marrë atë. Ai zakonisht përpiqet ta arrijë këtë me zemërime që përfshijnë të bërtitura, të qara ose duke u përplasur nëpër dysheme.

Tregon shenja agresioni

Prindërit shpesh shqetësohen kur fëmija fillon të shfaqë sjellje agresive, por në fakt më së shumti bëhet fjalë për të tërhequr vëmendjen për shkak të mungesës së saj. Psikologët shpjegojnë se fëmijët që janë të etur për vëmendje shpesh përdorin sjellje agresive. Kjo mund të përfshijë hedhjen e gjërave, goditjen, vetëdëmtimin dhe çdo gjë tjetër që mund t’i vërë ata ose të tjerët në rrezik. Gjegjësisht, agresioni është një nga mënyrat më të lehta për të tërhequr menjëherë vëmendjen e prindërve.