Zgjebja, morrat, kërpudhat… Rreziqet nga veshja e rrobave të reja të palara

Higjiena është gjysma e shëndetit, prandaj, sigurisht që duhet të kujdesemi për rrobat e blera në dyqane, pasiqë ato mund të ekspozohen për një kohë të gjatë dhe ju të mos jeni personi i parë që i ka provuar ato rroba.

A bëni pjesë në grupin e atyre njerëzve, të cilët thjesht nuk mund të presin t’i veshin rrobat e reja? Kjo është plotësisht e kuptueshme, por çdo veshje të re që e keni blerë duhet fillimisht ta lani, thonë ekspertët. Ju nuk jeni të vetmit që e keni provuar atë veshje.

Dermatologu Donald Belsito nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Kolumbias, tha se kishte hasur në raste kur morrat dhe kërpudhat nga një person kishin kaluar te rrobat, pastaj ata kanë kaluar tek personi i cili i ka veshur rrobat duke mos i larë paraprakisht. Belsito, si dermatolog ka trajtuar edhe pacientë të cilët si pasojë e veshjes së rrobave të palara janë prekur nga zgjebja.

Për shkak të kësaj, shqetësojnë rezultatet e një sondazhi të fundit, i cili zbuloi se madje rreth 73% e njerëzve nuk i lajnë rrobat e tyre pasi i kanë blerë.

Jo vetëm morrat dhe kërpudhat, por edhe infeksione të tjera janë kërcënim për shëndetin. Edhe kimikatet që mbeten pas prodhimit të veshjeve, mund të shkaktojnë irritim të lëkurës ose kruajtje.