Jo të gjitha acidet yndyrore omega-3 janë të njëjta

Acidet yndyrore omega 3 janë esenciale për shëndetin e zemrës, trurit, syve dhe nyjeve

Studimet kanë treguar se acidet yndyrore omega-3 që kanë origjinën nga peshku, kanë efekt më të mirë në parandalimin e kancerit të gjirit në krahasim me acidet yndyrore omega-3 që gjenden në vajin e lirit dhe vajrat tjerë bimor.

Acidet yndyrore omega-3 janë esenciale për shëndetin e zemrës, trurit, syve dhe nyjeve. Në grupin e acideve yndyrore omega-3 bëjnë pjesë acid alfa-linolenik (ALA), acidi docosahexaenoic (DHA) dhe acidi eicosapentaenoic (EPA). ALA është e pranishme tek farat dhe vajrat bimor, ndërsa DHA dhe EPA janë të pranishme tek peshku detar, algat dhe fitoplanktoni.

Shkencëtarët kanë bërë kërkime mbi minjtë, ku kanë shqyrtuar efikasitetin e llojeve të ndryshme të acideve yndyrore omega-3 në parandalimin e kancerit të gjirit. Forma e kancerit të gjirit i induktuar në hulumtim ishte HER-2, forma agresive që prek 25% të pacientëve me kancer të gjirit dhe ka prognozë të dobët për trajtim.

Për të hetuar efektin parandalues të llojeve të ndryshme të acideve yndyrore omega-3, para induktimit të kancerit minjtë u ekspozuan ndaj acideve të veçanta omega-3 yndyrore.

Rezultatet treguan se acidet yndyrore omega-3 me origjinë detare (DHA dhe EPA) mund të zvogëlojnë madhësinë e kancerit për 60-70% dhe numrin e metastazave për 30%. Nga ana tjetër, acidet yndyrore omega-3 me origjinë bimore (ALA) kanë pasur rezultate më të dobëta.

Omega-3 lufton kancerin duke përfshirë e gjenet e lidhura me sistemin imunitar dhe duke bllokuar rrugët e zhvillimit të tumorit. Prandaj, shkencëtarët rekomandojnë marrjen më të madhe të acideve yndyrore omega-3 nga ushqimet e detit, të paktën dy deri tre porcione peshk në javë. Studimet e ardhshme do të shikojnë efektin e acideve yndyrore omega-3 në format tjera të kancerit të gjirit, shkruan “The Journal of Nutritional Biochemistry”.