Mollat, bananet dhe domatet për mushkëri të shëndetshme

Sigurisht, këshilla më e mirë për mushkëritë e shëndetshme është që të lini duhanin, por nëse e keni të vështirë që të hiqni dorë nga ky ves i keq (megjithëse është mirë që të përpiqeni), ju duhet që më shpesh të konsumoni artikuj ushqimorë që ndikojnë në shëndetin e tyre.

Është i njohur fakti se pirja e duhanit është e dëmshme për shëndetin dhe se ndjeshëm e rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve vdekjeprurëse, siç është kanceri, e kjo sidomos u referohet mushkërive. Nëse vazhdoni të neglizhoni faktin se pirja e duhanit e rrit rrezikun e sëmundjeve të mushkërive, por edhe më tej vazhdoni të thithni çdo ditë tymin e cigareve, duhet të zgjidhni me kujdes atë që gjendet në pjatën tuaj (nëse është e mundur të paktën të zvogëloni dëmtimin).

Gjegjësisht, hulumtimet e fundit kanë treguar se artikujt e caktuar ushqimorë mund të përmirësojnë shëndetin e mushkërive, prandaj është e pëlqyeshme që të gjenden në menynë tuaj nëse jeni duhanpirës. Hulumtimi përfshiu 680 persona, ku disa prej tyre ishin duhanpirës, ​​disa ish-uhanpirës dhe jo-duhanpirës, ​​dhe iu përgjigjën pyetjeve që kishin të bënin me të ushqyerit e tyre aktual. Të gjithë iu nënshtruan matjes me spirometri, metodë kjo që mat funksionin pulmonar, domethënë, vëllimin e mushkërive dhe shpejtësinë e qarkullimit të ajrit përmes rrugës ajrore gjatë marrjes së frymës ose nxjerrjes së frymës. Testi u përsërit edhe pas 10 vjetësh.

Rezultatet e studimit treguan se duhanpirësit që konsumonin shumë molla, banane dhe domate kishin më pak dëmtime në mushkëri gjatë asaj periudhe. Shkencëtarët shpjegojnë se arsyeja qëndron në atë se, këto ushqime janë të pasura me antioksidantë që ndihmojnë në uljen e inflamacioneve në rrugët e frymëmarrjes, potencialisht e përmirësojnë shëndetin e mushkërive dhe ndihmojnë në rikthimin e indeve të dëmtuara në mushkëri që janë shkaktuar nga pirja e duhanit për një kohë të gjatë.

Këshillë: Mos mendoni se nëse konsumoni molla, banane dhe domate në sasi të mëdha, dëmi nga pirja e duhanit do të zhduket. Përkundrazi, nëse doni të ruani shëndetin tuaj, është mirë që të përpiqeni të harroni këtë ves të keq!