Muzika ndikon në përzgjedhjen e ushqimit

Sa më i zhurmshëm të jetë një vend, aq më shumë truri ynë është nën stres, gjë që ndikon në zgjedhjen e ushqimit.

Një studim amerikan i kohëve të fundit, ka shqyrtuar se si ndikon muzika në përzgjedhjen e ushqimit. Gjegjësisht, shkencëtarët zbuluan se sa më e zëshme që të jetë muzika nëpër restorante dhe supermarkete, aq më shumë zgjedhim ushqime më pak të shëndetshme ose ushqim të shpejtë.

Kur muzika është më e qetë, jemi më të vetëdijshëm për zgjedhjen e ushqimit, prandaj jemi të prirur që të zgjedhim ushqime të shëndetshme

Për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët analizuan porositë e klientëve në një restorant në Stokholm, derisa muzika ishte më e zhurmshme, por gjithashtu edhe kur muzika ishte më e qetë. Doli se 52% e klientelës porositën ushqime të shpejta kur muzika ishte më e zëshme, ndërsa kur muzika ishte më e qetë kjo përqindje ishte më e ulët (42%). Sa më i zhurmshëm të jetë një vend, aq më shumë truri ynë është nën stres, gjë që ndikon në zgjedhjen e ushqimit. Kur muzika është më e qetë, ne jemi në vetëdije të plotë për zgjedhjen e ushqimit, prandaj jemi të prirur që të zgjedhim ushqime të shëndetshme, siç janë sallatat.

Muzika me zë të lartë na shqetëson dhe e përshpejton ritmin e zemrës, në këtë mënyrë na nxit që të konsumojmë më shumë ushqime dhe pije. Restorantet dhe supermarketet në këtë mënyrë përmes muzikës, mund të ndikojnë në sjelljen e konsumatorëve, madje edhe të rrisin fitimin e tyre.