Vetmia dhe rreziku nga sëmundjet

Me mbështetjen e njerëzve të afërt, personat e moshuar, si dhe të gjithë njerëzit e tjerë, përballen më lehtë me ndryshimet që vijnë me plakjen ose me situata të caktuar të jetës.

Vetmia mund të përkufizohet si përvojë mjaft subjektive të cilën njeriu e përjeton negativisht dhe me dhimbje, ndërsa është pasojë e mungesës së marrëdhënieve të kënaqshme shoqërore në jetën e atij personi.

Njerëzit e moshuar janë të ekspozuar ndaj rrezik faktorëve të ndryshëm, të cilët kontribuojnë në ndryshimet negative të jetës dhe shkallë të ndryshme të izolimit social ose vetmisë. Vdekja e bashkëshortit/es, vëllezërve ose motrave, miqve, sëmundjet, dalja në pension, zvogëlimi i të ardhurave dhe rritja e varësisë, rrisin rrezikun e ndryshimeve të ndryshme negative të jetës, duke përfshirë edhe ndjenjën e vetmisë.

Vetmia është e lidhur negativisht me lumturinë, vetëvlerësimin dhe kënaqësinë e përgjithshme të jetës, që shpesh çon në zhvillimin e një sërë sëmundjesh trupore, të cilat mund të kenë pasoja tragjike për të moshuarit.

Disa studime kanë vërtetuar se njerëzit e moshuar sa më shumë që shoqërohen dhe lidhen me të tjerët kanë më shumë gjasa të zvogëlimit të rrezikut të dëmtimit kognitiv ose sëmundjes së Alzheimer-it. Persona që mbajnë marrëdhënie të ndryshme dhe të kënaqshme me të tjerët janë më të shëndetshëm dhe jetojnë më gjatë.

Fëmijët, miqtë, farefisi dhe të afërmit e tjerë janë burim i kënaqësisë dhe mbështetjes sociale për personat e moshuar. Lidhja e tyre me të moshuarit e zvogëlon ndjenjën e izolimit, padobishmërisë, të ngelurit vetëm…

Me mbështetjen e njerëzve të afërt, personat e moshuar, si dhe të gjithë njerëzit e tjerë, përballen më lehtë me ndryshimet që vijnë me plakjen ose me situata të caktuar të jetës. Përshtaten më mirë me situatat e reja, janë më pozitive dhe më pak të prirur ndaj gjendjeve depresive. Shëndeti i tyre i përgjithshëm është shumë më i mirë.

Nëse jeton vetëm, nuk do të thotë se duhet të jesh i vetmuar (pasiqë shumë persona që jetojnë vetëm udhëheqin një jetë aktive, shoqërore të integruar dhe të kënaqshme), megjithatë, është treguar se vetmia është më e zakonshme dhe më e theksuar te ato individë që jetojnë vetëm.